17.4 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Anemia kronike, fëmijët e të moshuarit, më të rrezikuar

Më të lexuarat

Anemia është një simptomë e cila haset në shumë sëmundje dhe që zakonisht shoqërohet me lodhje, këputje, dobësim të kapacitetit të personit.

Nga anemia prekemi të gjithë, megjithatë është konstatuar se gratë dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike janë më në rrezik për të patur anemi. Janë pikërisht këto kategoritë më të shpeshta që paraqiten për ndihmë te mjeku si pasojë e shfaqjes së anemisë. Në shumë njerëz anemia zhvillohet pa u vënë re pasi simptomat mund të jenë të vogla ose të paqarta; më shpesh njerëzit raportojnë mërzi të përgjithshme, lodhje, vështirësi në përqendrim, vështirësi në frymëmarrje. Kur gjendja është më e avancuar ka dridhje trupi, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje gjoksi, dhimbje kockash, vështirësi në gëlltitje, zbehje të lëkurës, thonj delikat dhe lehtësisht të thyeshëm. Dr. Adela Perrolla, mjeke hematologe në Shërbimin e Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shpjegon se anemia është një gjendje, simptomë që zhvillohet kur gjaku i organizmit nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme apo hemoglobinë. “Hemoglobina është substancë kryesore e qelizave të kuqe të gjakut që lidh oksigjenin. Është pikërisht gjaku i cili nëpërmjet rruazave të kuqe të hemoglobinës shpërndan në të gjithë trupin tonë oksigjenin dhe lëndët ushqyese. Nëse numri i rruazave të kuqe dhe hemoglobina nuk janë në vlerat e tyre normale atëherë i gjithë organizmi nuk do të furnizohet me sasinë e duhur të oksigjenit”, sqaron doktoresha. Duke shtuar se kjo shpjegon edhe simptomën më të shpeshtë të anemisë që është lodhja për shkak se jo të gjitha organet marrin atë që kanë nevojë për të funksionuar si duhet. Anemia është një ndër çrregullimet më të zakonshme të gjakut. Fjala anemi rrjedh nga greqishtja, që do të thotë mungesë gjaku. Anemitë klasifikohen nga anemitë që vijnë nga humbja e gjakut; anemitë që vijnë si rezultat i shkatërrimit të tepruar të qelizave të gjakut dhe anemitë që rrjedhin nga prodhimi i mangët i qelizave të kuqe të gjakut. Sot numërohen rreth 400 lloje të ndryshëm anemish dhe shkaqet janë të shumëllojshme.

Anemia

Anemia është një simptomë e cila haset në shumë sëmundje dhe që zakonisht shoqërohet me lodhje, këputje, dobësim të kapacitetit të personit.

Shkaqet

Nisur nga shkaqet e anemisë; kemi anemi akute të cilat janë si pasojë e hemorragjive të cilat mund të ndodhin nga stomaku, nga zorrët; mund të jenë hemorragjitë nga rrugët urogjenitale ose mund të kemi hemorragji të tjera nga hunda ose nga organe të tjera; mund të jetë edhe anemia gjatë traumave, gjatë aksidenteve rrugore. Këto janë anemitë akute të cilat përbëjnë në vetvete një risk për jetën e pacientit.

Kemi edhe shkaqet e tjera të cilat hyjnë në kategorinë e anemive kronike dhe këtu janë sëmundjet nga mungesa e hekurit, mungesa e vitaminës B12, mungesa e acidit folik apo mungesa të tjera, ose sëmundje të tjera të cilat ulin përthithjen e këtyre vitaminave, sikundër janë anemitë në sëmundjet kronike dhe anemitë në kancer.

Shenjat

Një pacient që ka anemi ka edhe simptomat, por duhet të kemi parasysh se pacienti i cili ka një anemi akute përjeton simptoma të menjëhershme të cilat janë: në momentin që çohet në këmbë kanë ndjesinë e të fikëtit, djerse të ftohta, marrje fryme, rrahje të shpejta të zemrës. Ndërkohë që pacientët që janë me anemi kronike këto gjëra nuk i përjetojnë, por vjen në mënyrë graduale dhe këta pacientë kanë zakonisht ose rënie të flokut, ose ndryshim të shijes, vështirësi në gëlltitje, si pasojë e anemizimit kronik që kanë dhe ndonjëherë ata thonë që kur ngjisin shkallët u merret fryma. Por kjo ndodh kur pacienti ka një anemi shumë të thellë.

Grupet më të rrezikuara

Grupet më të rrezikuara për sa i përket anemizimit kronik janë fëmijët dhe kryesisht të moshuarit. Pse? Sepse në rastin e fëmijëve, kjo ndodh për shkak se ata janë në rritje e sipër, d.m.th. trupi ka më shumë nevojë për vitaminat, hekurin, vitaminën B12, pra për faktorët e rritjes bashkë me substancat e tjera të cilat kanë nevojë që fëmija të rritet. Ndërkohë që marrja nëpërmjet ushqimit e tyre ka një disbalancë merr marrjes dhe nevojës që ka organizmi dhe kjo bën që një fëmijë i cili nuk ushqehet ashtu siç duhet mund të ketë anemi.

Rast tjetër janë gratë shtatzëna sepse edhe ato kanë nevoja më të mëdha, trupi i tyre paraqet nevoja më të mëdha krahasuar me raportin që ato marrin. Edhe këtu kemi një risk për të bërë anemi këto gra. Ndërsa te moshat e vjetra anemia vjen si pasojë e mospërthithjes, kemi një ulje të përthithjes qoftë të vitaminave, qoftë të hekurit nga stomaku për arsye se kemi atrofi nga mosha. Me kalimin e moshës, të moshuarit tentojnë të hanë më pak në krahasim më të rinjtë dhe kjo krijon atë disbalancën mes nevojave të trupit dhe raportit që ata marrin.

Zbulimi

Anemia zbulohet me një analizë të thjeshtë të gjakut. Unë e rekomandoj rutinë një analizë gjaku një herë në gjashtë muaj për të parë vetën e tyre, por edhe normalisht nëse janë të sëmurë ose e dinë veten me sëmundje kronike duhet të shkojnë te mjeku më shpesh për të bërë një analizë gjaku. Një analizë gjaku komplet shërben për të hetuar qoftë edhe një anemi kronike. Në rastin e anemive akute kuptohet që gjëja e parë që bëhet sigurisht është analiza e gjakut, shto edhe ekzaminime të tjera. Për personat të cilët duan të dinë nëse kanë anemi apo jo atëherë mjafton të bëjnë një analizë gjaku të thjeshtë.

Trajtimi

Trajtimi i anemisë është shumë i gjerë. Sepse në radhë të parë anemia duke qenë se është simptomë atëherë eliminohet në qoftë se ne eliminojmë shkakun. Në rastin e anemive akute si pasojë e traumave, hemorragjive masive atëherë hyn në lojë transfuzioni dhe kjo bëhet në kushte spitalore. Ndërkohë që në anemitë kronike normalisht në varësi të deficitit që paraqesin. Në qoftë se kemi anemi nga mungesa e hekurit duhet të marrin terapi me hekur. Në qoftë anemi nga deficiti ose mungesa e vitaminës B12 apo acid folik duhet të marrin B12 ose acidin folik. Në rast se kemi anemi të trashëguara sikurse janë në vendin tonë talasemi, drepanacitoza dhe këto njihen si anemitë hereditare. Në rastin e anemive të trashëguara, trajtimi bëhet sipas nevojave që ka pacienti; me transfuzione, me suport vitaminik dhe të tjera. Në rastin e anemive kronike gjithmonë kemi të bëjmë me anemi me bazë inflamatore dhe kështu që në varësi të situatës ka edhe trajtimin.

Të sëmurët që janë në trajtim pasi janë diagnostikuar me anemi, gjëja e parë që bëjnë duhet të ndjekin këshillat e mjekut.

Veganët

Mishi është i pasur me B12, është i pasur me hekurin të cilat nuk gjenden në zarzavate, të cilat nga ana tjetër janë shumë të pasur me acidin folik dhe gjëra të tjera. Kështu që në rastin konkret gjëja e parë që rekomandohet është të hahet një ushqim i shëndetshëm dhe i ekuilibruar. Në rastin e veganëve rekomandohet të marrin suplemente. Ka mjaft suplemente të cilat kanë edhe hekurin, dozat e caktuara të vitaminave të dozuara në suplemente të cilat ata duhet t’i marrin ditë për ditë që të mos bëhen me mungesë të B12 dhe hekurit.

Kronikët

Te pacientët që kanë probleme të anemisë kronike nga sëmundje të ndryshme, duhet të bëjnë analizat herë pas here. Por edhe te kjo kategori rekomandohen suplemente me qëllim që të mos kemi një rënie apo një zbrazje të depove nga mungesa vitaminike. Është tjetër problem pastaj në rast se kemi të sëmurë me anemi, që janë me sëmundje të veshkave të cilat shoqërohen me anemi, diabeti mund të ketë anemi, funksioni i ulët apo i lartë i tiroides shoqërohet me anemi. Të gjitha këto rikuperojnë në rast se trajtojmë shkakun. Por në përgjithësi ajo që rekomandohet është një ushqim i shëndetshëm; me këtë nënkuptoj që njerëzit të mos hanë vetëm ushqime të njëanshme, sikurse janë p.sh. fibrat, të ushqehen vetëm me zarzavate. Por çdo gjë duhet të jetë me ekuilibrat e duhur me qëllim që të mos kemi anemizimin si pasojë e deficitit të një vitamine apo elementi tjetër.

Ushqimet kundër anemisë

Soja dhe drithërat

Shumica e bimëve janë të pasura me hekur, por ato duhet të zgjidhen me kujdes, sepse disa përmbajnë acid fitik, i cili e vështirëson përvetësimin e hekurit. Megjithatë, këtë mund ta zgjidhni duke i zhytur drithërat në ujë gjatë natës. Megjithatë, nga këto perime leguminoze, soja është më e mira për anemi. Gjysma e kërkesave ditore për hekur sigurohet me vetëm një filxhan sojë të gatuar. Ajo ka pak yndyrë dhe shumë proteina. Drithërat integrale përveç hekurit përmbajnë edhe acid fitik. Në dietë është e këshillueshme të përfshini edhe kuinoa, e cila është një zëvendësim i mirë për orizin.

Mishi

Mëlçia është një burim i pasur i hekurit, por edhe mishi i pastër i kuq. Trupi përmes këtij ushqimi e përthith më lehtë hekurin, ndërsa do të siguroni dhe vitaminë B. Për shembull, mëlçia e viçit ka më shumë se 600 për qind të nevojës tuaj të përditshme të hekurit dhe vitaminës B12.

Perimet

Konsumoni edhe kungull dhe fara kungulli. Spinaqin kurrsesi mos e anashkaloni, sepse është i pasur me një mori të vitaminave dhe ushqyesve. Domatet duhet t’i konsumoni, sepse përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në përvetësimin e hekurit. Pini lëng të domateve në vend të kafesë, e cila mund ta ngadalësojë përthithjen. Panxhari gjithashtu nuk duhet të mungojë në tryezën e atyre që vuajnë me anemi. Atë mund ta shtrydhni dhe të pini lëngun e freskët, por në qoftë se shija është e pakëndshme, përziejeni me lëng molle, portokalli ose limoni. Panxhari e pastron trupin dhe natyrisht është i pasur me hekur.

Frutat

Shega është plot me vitaminë C, A dhe E, fibra, kalium dhe hekur. Konsumojeni atë të freskët, ose në formë lëngu. Hani kajsi të thata, të cilat janë të pasura me hekur, por edhe rrush të thatë. Mund të konsumoni edhe fruta të pasura me vitaminë C, për t’u siguruar që trupi juaj mund ta pranojë më mirë hekurin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit