Alija Izetbegović, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij: ‘Kujtime – shënimet autobiografike’ thotë:
«Më duhet ta pranoj se Lordi Carrington më 3 korrik 1992 në një çështje ishte shumë i ndershëm me mua: ‘Mos llogaritni në ndihmën tonë, ajo nuk do të ndodhë. Përpiquni të bisedoni me sërbët, kjo është rrugëdalja e vetme’.
Heshtëm të dy para se ai të shkonte. E shoqërova deri te dalja e ndërtesës. Në pushimoren në mes dy shkallëve ai u ndalë papritmas dhe më pyeti: ‘Çka keni ndërmend të bëni?’. ‘Do të luftojmë’ i thashë, ‘Si mendoni ashtu, a e dini se me kë keni punë?’. ‘E di’, i thashë, ‘por a kemi zgjidhje tjetër?’. Nuk komentoi, por jam i sigurt se mendoi që jam i krisur.
Të gjithë, fatmirësisht, atëherë kemi qenë pak të krisur. Shumë më vonë në një tubim të ushtarëve dhe të oficerëve të Armatës Boshnjake, u thashë që të shkonin në popull për ta njohur atë.
‘Pse do të ishte mirë të ecni nëpër Bosnjë? Duhet ta njihni popullin tuaj. Unë përsëri këto ditë ja zbulova vetes këtë popull në kontaktet e drejtpërdrejta. Këta janë njerëz të mirë dhe sidomos trima. Ndodhin gjëra të çuditshme. Më thonë: ‘Kryetar, nuk kemi plumba, nuk kemi ushqim’. Tani unë pres të më thonë: ‘Hajde na e gjej një rrugdalje’. Pastaj pason fjalia e papritur: ‘Mirëpo, ju lutem, Kryetar, mos lëshoni pe për asgjë. Ne kemi fuqi, do të luftojmë deri në fund’.
Dikush do të thoshte se ku është logjika këtu. Thjesht, s’ka logjikë. E mirë është që nuk ka. Sepse, sikur të kishte logjikë, do të ishim dorëzuar në fillim të prillit 1992. E gjithë logjika e botës atëherë ishte kundër nesh. Edhe tani te ne është një popull i tillë jologjik: nuk kemi ushqim, nuk kemi plumba, por ne do të luftojmë dhe do të fitojmë. Çfarë t’i bësh? Ky është një popull i mirë dhe trim».
