1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Me ndihmën e Turqisë, Shqipëria do të ketë linjën e saj ajrore

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe drejtori i Bordit Ekzekutiv të kompanisë Turkish Airlines, Ilker Aycı, kanë prezantuar sot projektin për krijimin e një linje ajrore shqiptare. Projekti është prezantuar përmes një deklarate të përbashkët për shtyp në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij Rama ka thënë se kjo linjë do të sjellë një epokë të re në këtë sektor. Duke vënë në dukje se projektimi i kësaj linje ajrore shqiptare është duke u realizuar përmes një mbështetjeje të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, Rama e ka falënderuar atë dhe më pas shprehu bindjen se fluturimi i parë do të kryhet brenda këtij viti.

“Ka qenë objektiv të punojmë për ngritjen e një linje ajrore shqiptare. Në takimin e sotëm ne pamë se jemi afër finalizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se në harkun e këtij viti do të nisin edhe fluturimet e para”, tha Kryeministri Rama.

Rama ka kritikuar kontratën konçesionare të realizuar në këtë drejtim nga qeveria e mëparshme duke iu referuar asaj të aeroportit të Rinasit dhe më pas ka shtuar: “Me të drejtë pasagjerët shqiptarë janë të palumtur me çmimet që rrjedhin edhe nga kjo kontratë, e cila ka bërë që hyrja e kompanive ‘low cost’ të jetë e vështirë”.

Kryeministri Rama më pas ka shtuar se hapja e një aeroporti të ri në Vlorë dhe ngritja e një tjetër aeroporti turistik në Sarandë do të normalizojnë situatën në këtë sektor.

Nga ana tjetër në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Drejtori i Bordit të Turkish Airlines, Aycı, ka thënë se aktualisht janë në fazën e përgatitjes së fizibilitetit për ngritjen e kësaj linjeje ajrore dhe se synimi i tyre është rritja e cilësisë së shërbimeve për pasagjerët shqiptarë, si në aeroport ashtu edhe në fluturim.

Aycı në vijim të fjalës së tij premtoi se kjo linjë do të jetë një mbështetje e madhe për udhëtarët shqiptarë në të gjitha destinacionet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit