-0.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

ATEIZMI NË KONTEKSTIN BASHKËKOHOR

Më të lexuarat

Fenomeni i ateizmit:
Historia e popujve vërteton faktin se bes­imi i paluhatshëm në ekzistencën e Zotit, që drejton universin, ishte pohim fondamental, i pranuar nga shumica dërrmuese. Ateizmi, i manifestuar me mohimin e ekzistencës së Zotit, ishte dukuri anormale, e shfaqur me qëndrimet e disa individëve. Gjendja ishte e këtillë deri në shekullin e tetëmbëdhjetë1 në të cilin filloi zëvendësimi i besimit me ateizëm tek shumica e elitës intelektuale të Evropës. Me instalimin e komunizmit, në shumë vende të Evropës ateizmi u shpall si “fe” zyrtare e shteteve socialiste. Përhapja e ateizmit në qytetërimin perëndimor, qytetërim ky me pozitë udhëheqëse në botë në këtë kohë, shkaktoi zgjerimin e tij në gjitha anët e botës. Përhapja e këtij fenomeni ishte me përmasa të papara ndon­jëherë në histori.

Pasojat ishin:
Ateizmi nga aspekti shkencor dhe logjik ishte qëndrimi i natyrshëm që nuk ka nevo­jë për argumente dhe prova. Argumente dhe prova filluan të kërkohen prej besimtarit.
1Sipas librit “Atheism in Britain” fq. 3 ateizmi si dukuri për herë të parë në Evropë është paraqitur në vitin 1770 kurse në Britani në vitin 1782
2Nëse i shikojmë numrat “ateistët” janë pakicë në shoqëritë perëndimore. Sipas anketës së bërë nga gazeta N.Y. Times më 27/02/1993 (fq. 9) 97% prej amerikanëve janë prononcuar si besimtarë në Zotin. Në anketën e zhvil­luar nga revista US News and World Report përqindja e besimtarëve ishte 93% në kohë që përqindja e ateistëve ishte vetëm 5%. Statistikat e këtilla ua ngatërrojnë hesapet atyre që jetën luksoze dhe përparimin shkencor dhe material e ndërlidhin me ateizmin si shkak kryesor.

Ateistët filluan t’i sfidojnë besimtarët duke i akuzuar si pasues të verbër, imitues, jo shkencorë që ecin pas emo­cioneve. Shfaqja e interesim­it për fe – në mjetet e informimit publik në veçanti – filloi të konsiderohet si gjë e çuditshme, ndonëse e neveritshme. Autori i librit “Kultura e Mosbesimit” shkru­an: Pasi revista “Newsweek” botoi një tekst rreth fesë, i erdhi një letër prej lexuesit që e kritikoi revistën në fjalë
për aktin e dhënies hapësirë për “gjepura” të këtilla. Pastaj ai jep komentin sipas të cilit autori i tekstit fetar i përket pakicës kurse ai nga aspekti politik dhe kulturor i përket rrymës dominuese në Amerikë në të cilën ata që rregullisht luten, bile edhe ata që besojnë mundohen ta ruajnë bes­imin e tyre si sekret. Sipas tij, ata që i drejtohen Zotit publikisht (akt i pritur prej politikanëve), nëse fenë e marrin me seriozitet duke e konsideruar si imperativ dhe jo si zgjedhje individuale rrezikohet të numërohet nga tradhtarët.

Feja u shndërrua në dukuri shoqërore që ka nevojë të komentohet. Afetarizmi u shndërrua në çështje të natyrshme që nuk ka nevojë për studim, analizë e as për argumentim.
Ateizmi u shndërrua na bazë – e prononcuar apo e nënkuptuar – mbi të cilat ndërtohet filozofia e shkencave naty­rore, shoqërore dhe humane. Ateizmi u bë pjesë e konceptit të shkencave. U pro­movuan dy koncepte, koncepti i shp­jegimit shkencor përballë shpjegimit fetar, shkencor që nuk pranon praninë e ndikimit hyjnor dhe fetar që pranon ndërhyrjen hyjnore në ndodhitë e gjithësisë. Pasi feja, si pasojë e ndikimit të filozofisë ateiste, u vu për­ballë shkencës, ajo u ven­dos në shportën e ogurit, magjisë dhe llojeve të ndryshme të para-shken­cave dhe legjendave. Ata më të ndershmit e shikonin si lloj letërsie dhe arti që flet për emocione dhe nuk provon realitete.
Përhapja e ateizmit në Evropë u përcoll me zhvil­lim të gjerë në sferat e shkencave naty­rore. Teknika hyri në shume fusha të jetës dhe e lehtësoi atë. Njerëzit filluan të mendojnë se shkaku i këtij përparimi është ateizmi, i cili e zëvendësoi fenë me filozofi materialiste, ateiste, dhe logjikë eksperimentale. Kjo bindje u krijua edhe tek shumë popuj tjerë, të cilët filluan të mendojnë se ajo shkallë e zhvillimit nuk mundet të arrihet pa ateizmin dhe pa largimin e fesë.
Ideologjia ateiste nuk u përkufizua në fushat e shkencës. Ajo hyri edhe në jetën shoqërore dhe politike. Ashtu siç u largua feja nga shkenca, e cila nuk guxohej të përmendet në tubimet shkencore, u largua edhe nga jeta politike, bile edhe në vendet myslimane. U shndërrua në çështje individuale private, çështje që nuk ka lidhje me kushtetutat e shteteve, me ligjet, me politikën e brendshme dhe të jashtme, me masmediat dhe me arsimin.
Vazhdon…
Pjesë nga libri: Fizika dhe ekzistenca e Zotit
Përktheu: Talha KURTISHI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit