-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kryebashkiaku mysliman i një qyteti në New Jersey

Më të lexuarat

“Unë nuk e imponoj fenë time kur është fjala për drejtimin e qytetit, por feja ime vendos mbi mua vlerat morale.”

Nga “Zëri i Amerikës”
Mohamed Hairullah, lindur në Siri, e përshkruan veten si “një kryetar bashkie amerikan që rastis të jetë edhe musliman. ” Si kryebashkiak prej 3 mandatesh i Prospekt Park, në Nju Xhersi, ai beson se qyteti i tij prej 6 mijë banorësh është shembull se si përkatësia etnike dhe fetare nuk duhet të përcaktojnë udhëheqjen e komunitetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ramon Taylor na dërgoi këtë material nga qyteti Prospekt Park.
Kur Mohamed Hairullah u vendos në këtë qytet të vogël të Nju Xhersit në vitin 1991 në moshën 16 vjeç, ai kurrë nuk e kishte imagjinuar se një ditë do të bëhet kryetari bashkie i qytetit.
Por një ditë ai zbuloi diçka që do të linte të kuptonte të ardhmen e tij.
“Mbaj mend se rrugës për në shkollë pashë një parrullë politike në arabisht dhe u mahnita. Kjo mbeti në mendjen time.”
Në vitin 2001, një vit pasi u bë shtetas amerikan, ai kandidoi për poste publike. Besimi i tij mysliman, thotë ai, nuk ishte problem për votuesit.
“Pavarësisht nga dallimet tona, ne nuk e sulmojnë njëri-tjetrin në bazë të fesë apo përkatësisë etnike. Etnia jonë është për ne, për familjet tona, për njerëzit me të cilët jemi rritur. Edhe feja jonë është në xhami apo kishë. Atje e ka vendin.”
Feja siguron një bazë morale, thotë ai.
“Unë nuk e imponoj fenë time kur është fjala për drejtimin e qytetit, por feja ime vendos mbi mua vlerat morale.”
Ashtu si në qytete të tjera amerikane, ky është një vit zgjedhjesh në Prospekt Park. Kryebashkiaku Hairullah nuk është për t’u rizgjedhur këtë radhë, por dy prej gjashtë vendeve të këshillit të qytetit janë. Ai shpenzon shumë nga koha e tij duke folur me banorët në telefon, ose angazhohet me komunitetin e tij në mediat sociale.
Por pavarësisht përgjegjësive, Hairullah nuk ka harruar të kaluarën e tij.
Ai ka shkuar disa herë në Siri në misione humanitare, për të siguruar ushqim dhe furnizime për sirianët në nevojë.
“Është një sfidë për diktatorin dhe për njerëzit që e mbështesin atë. Por pavarësisht rreziqeve, ne do të vazhdojmë të mbështesim ata njerëz të cilët kanë qenë të braktisur nga bashkësia ndërkombëtare.”
Ata që e njohin Hairullahun, i cili më parë ka qenë mësues, e përshkruajnë atë si një njeri familjar.
“Ky është një komunitet i orientuar drejt familjes dhe ne kemi nevojë për një kryebashkiak si Hairullahu”, thotë Intashan Chowdhury, ish nxënës i kryebashkiakut.
“Ai është shumë i qetë, dhe më kujton babain tim. Gjithmonë na fliste me respekt”, thotë Prishilla Nunez, gjithashtu ish nxënëse e kryebashkiakut.
Qëllimi i kryebashkiakut Hairullah për tre fëmijët e tij është që ata të bëhen nxitës pozitivë në botë. Mesazhi i tij për të gjithë ata që aspirojnë për të udhëhequr, është se njerëzimi është më i rëndësishëm se përkatësia etnike apo besimi fetar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit