1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

A është hallall të bëj mbjelljen e flokëve me operacion plastik?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum!
Edhe pse shumë i ri, vetëm 18 vjeç, kanë filluar të më bien flokët. Çfarë të bëj, a është hallall të bëj mbjelljen e tyre me operacion plastik apo të përdor ujëra të ndryshme? Çfarë të bëj? Kam problem serioz.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Mbjellja e flokëve në rast se ato kanë rënë është e lejuar si për mashkullin ashtu edhe për femrën. Në përgjithësi, të gjithë ata dijetarë bashkëkohorë të cilët kanë folur për këtë problematikë kanë deklaruar se rënia e flokëve është mangësi dhe kjo trajtohet si sëmundje. Prandaj mbjellja e flokëve bëhet me qëllim të mënjanimit të kësaj mangësie dhe deformimi, me fjalë të tjera, kjo nuk ka të bëjë me ndryshimin e krijimit të Allahut të Lartësuar.

Në sesionin e tetëmbëdhjetë të “Akademisë së Fikhut Islam” (El-Mexhmeë El-fikhul Islami), e cila është mbajtur në Malajzi më 24-29/04/1428, që përputhet më datën 09-14/07/2007, u diskutua problematika e llojeve të operacioneve plastike, se cilat janë ato të lejuarat. Aty u tha: “Mënjanimi i mangësive (trupore) të cilat janë shkaktuar nga djegiet, aksidentet, sëmundjet dhe rrethanat e tjera, sikurse: mbjellja e lëkurës (së dëmtuar), rikthimi i formës së gjirit (me operacion plastik) pas heqjes së tërësishme (mastectomy), apo të pjesshme të saj… dhe mbjellja e flokëve, nëse ato kanë rënë, posaçërisht te femrat.”

Kjo ishte shkurt në lidhje me dispozitën që ju pyesni, por nga vitet tuaja mendojmë se nuk do të ishte në rregull të nxitoni në mbjelljen e flokëve në këtë moshë që keni. Do të ishte më e qëlluar të shikoni njëherë format e tjera që parandalojnë rënien, por gjithmonë në konsultim me mjekun. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
22.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit