-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shtohen rastet e sëmundjes me kancer

Më të lexuarat

Në tremujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë diagnostikuar 378 persona me kancer. Këto të dhëna janë konfirmuar nga zyrtarët e Institutit Onkologjik, sipas të cilëve, krahasuar me numrin e të prekurve me kancer viteve paraprake, rastet me këtë sëmundje kanë shënuar rritje.

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2016, janë diagnostikuar 278 raste me kancer.

Rrjedhimisht, Hyseni ka thënë se duhet rritur kapacitetet njerëzore si dhe buxhetin për këtë institut, duke marrë parasysh rastet në rritje të sëmundjes.

“Kjo rritje do të ketë ndikim të madh si në shpenzimin e ilaçeve, por edhe në kapacitetet njerëzore dhe në aparaturë. Ky trend ka qenë i parashikuar, pasi numri që ka qenë më herët, ka treguar numrin më të vogël në Evropë dhe ne nuk mund të jemi të ndryshëm nga njerëzit tjerë të botës”.

”Pra, parashihet të përmbyllet viti 2017, me rreth 1700 raste të reja, dhe do të jetë një rritje dukshëm më e madhe krahasuar me vitet paraprake”, ka thënë Hyseni.

Ndryshe, viti 2015 është përmbyllur me 808 raste të prekurve me kancer. Derisa viti 2014, me 760 raste.

Hyseni ka theksuar se me rritjen e numrit të prekurve me kancer, duhet rritur edhe buxheti për barna, si dhe të shtohen kapacitetet njerëzore.

“Me shtimin e numrit të shërbimeve, ka nevojë të shtohen resurset humane, kapacitetet në aparatura dhe shpresoj të gjejmë mirëkuptim edhe për rritjen e buxhetit për ilaçe. Janë të domosdoshme. Pres që do të ketë shtim të këtyre kapaciteteve, pasi nuk do të kemi mundësi të ofrojmë ndihmë gjithë këtyre njerëzve”, ka shtuar Hyseni.

Ndryshe, nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në 21.7 milion, kanë deklaruar profesionistë të fushës.

Ndërkaq, sa i përket vdekjeve nga kanceri në botë, aktualisht janë 8.2 milionë raste në vit, derisa deri në vitin 2030 deri në 13 milion. Në vendet me buxhet të ulët do të shtohen për 70 për qind rastet e vdekjeve, derisa në vendet e zhvilluara deri në 30 për qind, dhe kjo arsyetohet me faktin se vendet e zhvilluara kanë programe strategjike për parandalim të sëmundjes.

Në Ministrinë e Shëndetësisë , drejtori i departamentit për informim, Faik Hoti, ka deklaruar se në vazhdimësi është rritur buxheti për citostatikë, barna këto për trajtimin e sëmundjeve malinje, dhe në bazë të kërkesave që marrin nga Instituti Onkologjik, do të shqyrtohet mundësia e shtimit të resurseve humane.

”Rritja e incidencës së sëmundjes së kancerit është një çështje që raportohet në vazhdimësi nga institucionet gjegjëse. Ministria e Shëndetësisë në kuadër të nevojave zhvillimore e ka pasur parasysh Klinikën e onkologjisë dhe përgjithësisht shërbimet që merren me sëmundjet malinje”.

“Andaj, gradualisht ka pasur rritje të buxhetit për citostatikë, e shoqëruar me përmirësimin e teknologjisë dhe mund të pritet që me futjen në sistem të sigurimeve shëndetësore të kemi më shumë angazhim të resurseve humane në mënyrë që ballafaqimi me sëmundjet malinje të jetë më gjithëpërfshirës”, ka thënë Hoti.

Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit, tashmë ka deklaruar se Kosova u takon vendeve me buxhet të ulët, ku numri i njerëzve të prekur me kancer rrezikohen të përfundojë me vdekje deri në 70 për qind.

“Vendet e zhvilluara kanë programe të posaçme për parandalim. Kjo bën që vdekshmëria e të prekurve me kancer të jetë 30 për qind, krahasuar me 70 për qind sa e kanë vendet e pa zhvilluara dhe me buxhet të ulët”.

“Tashmë flitet edhe për imuno-terapi, ku në janar të vitit 2017 është aprovuar kjo terapi dhe në vendet e zhvilluara po përdoret, duke u treguar si shumë e suksesshme për disa lloje të kancerit”, ka thënë Kërliu.

Profesionistë shëndetësorë thonë se kanceri i mushkërive dhe ai i organeve tretëse është më i shpeshti te meshkujt, derisa kanceri i gjirit prin si sëmundje te femrat.

Si rrjedhojë, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Ka qenë grupi i grave deputete që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës.

Zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, në gjithë Kosovën, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.

Sidoqoftë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.

Ata thonë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si ndalimi i tymosjes së duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive, shkaktohet pikërisht nga tymosja. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit