Hashim Thaçi është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes votimit të hapur.
Në votimin për Kryetar të PDK’së kanë marrë pjesë 719 delegatë, nga ta 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, derisa vetëm 1 delegat ka votuar kundër.
Në fjalën e tij para delegatëve, Thaçi i ka falënderuar për besimin e dhënë.
“Ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë”, ka thënë ai.
“Në këto 13 vite PDK ka kaluar neper sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda, por bashkërisht i kemi tejkaluar këto situata. Kjo është vlerë e PDK’së”, ka pohuar Kryetari i PDK’së.
Më pas, ai i ka siguruar ata se partia, nën udhëheqjen e tij, do t’i fitojë zgjedhjet.
“Të nderuar delegatë, ju siguroj se si Kryetar i PDK’së do t’i fitojmë zgjedhjen lokale dhe nacionale”.
Një fjalë të shkurtër ka mbajtur edhe zëvendësi i deritashëm i Thaçit, Hajredin Kuçi.
“Jemi me fat që kemi një Lider që reflekton unitetin e partisë”, tha ai.
Tani delegatët kanë dalë në pauzë, për t’u kthyer më pas për procesin e zgjedhjes së Këshillit Drejtues të PDK’së.
Thaçi pritet të rikonfirmohet lider i PDK
10:00 – Hashim Thaçi sot pritet të rikonfirmohet për së dyti herë lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kongresin e përgjithshëm të kësaj partie, që nisi dje në Prishtinë.
Analistët politik këtë kongres e kanë cilësuar përçarës dhe me porosi të keqe për këtë parti, që do të rrezikojë përçarjet dhe ndarjet e theksuara, për shkak të mospjesëmarrjes së sekretarit të përgjithshëm, Jakup Krasniqi, veprimtarë dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj partie si dhe mungesës së nënkryetarit Fatmir Limaj, që gjendet në paraburgim.
Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore. Kongresin e shpalli të hapur nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, siç tha ai, miqtë nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi. Në këtë kongres dje fjalime përshëndetëse kanë pasur, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetari i LSI, Ilir Meta, nënkryetarja e LDK Teuta Sahatqija, Gerti Bogdani nga PD, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i PDSH-së së Preshevës, Ragmi Mustafa si dhe përfaqësues të tjerë të partive politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera.
“Vite më parë qytetarët, shumë prej nesh të pranishëm këtu dhe shumë prej atyre të cilët nuk janë në mesin tonë, kishim një ëndërr, të jemi kështu të bashkuar. Shteti i Kosovës dhe ai do të jenë gjithmonë gardian të të drejtave të shqiptarëve, kudo që janë. Bashkimin e kombit e kanë vulosur dëshmorët, ndërsa bashkimi do të ndodhë në BE”, deklaroi Thaçi në fjalimin e tij. Kreu i PDK-së tha se gjithmonë e kanë pasur guximin për të qenë të bashkuar, për të luftuar dhe për të fituar, e kjo u bë nga lufta e UÇK-së, dhe kontribut i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Në Kongresin e PDK-së pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në vend.
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit. (INA)/kohaislame