Komuna e Prizrenit i ka blerë punëtorëve të vet rreth 44 mijë euro ushqime për vitin e ri në kompaninë Ben-af pa shpallur fare tender. Çdo i punësuar në administratë dhe asamble të Prizrenit mori produkte në vlerë prej 100 euro. Tek pas gati një muaji, për të arsyetuar shpenzimet, komuna shpalli tender dhe përzgjodhi po të njëjtën kompani.
Prej kryetarit deri te pastruesi harxhin e vitit të ri e blen me pare të buxhetit. Pak para festës, Komuna e Prizrenit ua dha të gjithë punëtorëve të vet nga një kupon në vlerë 100 euro për t’u furnizuar me produkte ushqimore në supermarketin e kompanisë Ben-af në këtë qytet. Me kësi kuponë u pajisën edhe të gjithë asambleistët, pa dallim partie, e që në total i rritën shpenzimet nga arka e shtetit në afro 44 mijë euro.
Për këtë vendim, zyrtarë të afërt me këto zhvillime tregojnë se votuan shumica absolute e kuvendarëve të Prizrenit. Nuk pati ndonjë procedurë të veçantë për këtë ndarje të mjeteve.
Por, tek pas gati një muaj që ka kaluar festa, komuna ka shpallur tender dhe ka përzgjedhur kompaninë që do t’i furnizojë me artikuj ushqimorë anëtarët e kuvendit dhe shërbyesit civilë të administratës. Është kompania Ben-af, tek e cila ishin të vlefshëm kuponët e lëshuar nga komuna.
Se punët janë kryer shumë më herët se të shpallej tenderi e konfirmon vetë kryetari i komunës, Ramadan Muja. “Këto pare janë nda për punëtorët për vitin e ri, një stimulim, një përkrahje financiare, meqenëse shërbyesit civilë janë me të ardhura të vogla. Nuk kemi bërë mëkat që ua kemi nda këto mjete”, thekson Muja. /Express/