Një shtetase britanike është dënuar me vdekje në Indonezi nën akuzën e trafikut të drogës, njofton BBC në edicionin online.
Lindsay Sandiford u arrestua në muajin maj pasi policia lokale, duke kryer një kontroll rutinë, gjeti 4.8 kilogram kokainë në valixhen e saj.
Prokurorët kishin rekomanduar një dënim 15-vjeçar, por gjyqtari tha se në rastin e saj nuk kishte rrethana lehtësuese dhe se pala mbrojtëse nuk kishte paraqitur interes për të pasojat e veprimeve të klientes.
Trupi gjykues tha se Sandiford kishte dëmtuar imazhin e Balit si një destinacion turistik dhe se kishte cënuar programin anti-drogë të qeverisë së vendit.
Sandiford ishte akuzuar se ishte në qendër të një zinxhiri droge ku ishin përfshirë edhe tre shtetas të tjerë britanikë.
Në një seancë të mëparshme gjyqësore, avokati mbrojtës i Sandiford tha para trupit gjykues se problemet e saj mendore e kishin bërë klienten të cënueshme nga grupet kriminale.
Ndërsa vetë Sandiford, në një deklaratë të sajën, i kërkonte falje Republikës së Indonezisë dhe popullit indonezian për veprimin e saj.