-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kritikohet dhe mirëpritet marrëveshja e Brukselit

Më të lexuarat

Takimi i katërt ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, i zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka rezultuar me një marrëveshje të përkohshme për doganat.

Por, përfaqësuesit e partive politike opozitare, shprehin mendime të ndryshme rreth kësaj marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se nëse është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo duhet të sqarohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga kryeministri.

“Do të kërkojmë se është obligim i zotit Thaçi të raportojë në Kuvend edhe të na njoftojë, do të thotë Kuvendin dhe të tjerët, se çka është arritur, çka është biseduar. Prandaj, nuk mund të themi diçka më shumë nga ajo që është thënë në deklarimet mediale”, thotë Beqiri, duke shtuar se kryeministri Thaçi është i obliguar që në ketë dialog të sillet konform Kushtetutës së vendit dhe se Kosova, sa i takon çështjes së doganave është një zonë doganore dhe kështu duhet të jetë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të së premtes ka thënë se “tash doganat do të paguhen sipas standardeve që ka caktuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Kurse, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shpjeguar se mjetet e mbledhura nga dogana, do të shkojnë në një fond të veçantë që do të themelohet nga Bashkimi Evropian, e kryesisht ato mjete do të përdoren për zhvillimin e komunave veriore.

Ai ka shtuar, po ashtu, se ky fond të mbikëqyret nga një përfaqësues i BE-së, një përfaqësues i veriut të Kosovës dhe një nga Prishtina.

Sidoqoftë, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, duke komentuar marrëveshjen e përkohshme për doganat, thotë se krijimi i një fondi të veçantë zhvillimor për veriun, është treguesi më i mirë për një autonomi për serbët në veri.

Ai thekson se me siguri që Thaçi dhe Daçiq janë dakorduar për disa gjëra që do ta ndryshojnë Kosovën.

​​“Atë që e kemi pasur si drojë para këtij dialogu, po vërtetohet si e saktë. Lëvizja Vetëvendosje po e sheh se atje është dakorduar që të gjitha doganat që do të mblidhen në veri, do të shkojnë në një fond të veçantë zhvillimor që po e quan kryeministri Thaçi, tregon se vetëm po krijohet baza e një autonomie- ndryshimit të organizimit të brendshëm, ku një grup etnik dhe një territor i caktuar, do të jenë në një organizimi të veçantë dhe aty janë hapur edhe tema të veçantisë së serbëve. Presim ta shohim tekstin, por, me gjasë janë marrë vesh që do ta ndryshojnë Kosovën”, shprehet Ahmeti.

Për dallim nga LDK-ja dhe Vetëvendosje, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, konsideron se takimet, dialogu dhe marrëveshjet janë në drejtimin e duhur.

“Është një hap përpara, ka shumë tema, të cilat mund të diskutohen ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Me siguri që do të vijë dhe do të bëhen edhe më të zorshme, për shkak se kemi tema të hapura tepër shumë. Mirëpo, është një hap në drejtimin e duhur”, thekson Gjini.

Ndryshe, në kuadër të bisedimeve për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, që Serbia ka në veri të Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se “Qeveria e Serbisë merr obligime dhe përgjegjësi edhe për shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe largimin e tyre nga Kosova”.

Daçiq, ndërkaq, ka nënvizuar se zgjidhja në këtë drejtim qëndron te krijimi i institucioneve të pranueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për serbët e Kosovës./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit