Miomët janë tumore “të mirë” beninj , mezenhimal të muskulaturës së lëmuar (andaj, edhe quhen Leiomyma).
Në aspektin epidemiologjik miomi është tumori më i shpeshtë i organeve gjenitale femërore (20-30% e femrave, ose, gati çdo e 4-ta femër preket nga ky tumor). Haset më së shpeshti në moshat 35-45 vjeçe, më shpesh te femrat që nuk kanë lindur fëmijë.
A dihen arsyet e shfaqjes së miomëve?
Shkaktarët e paraqitjes (etiologjia), si te rastet e shumicës së tumoreve, janë të shumtë. Këtu duhet përmendur defektin e receptorit progesteron (?), predispozicionin familjar, ndryshimet në kromozome (1, 7, 12, 14) janë duke u diskutuar.
Është vërejtur se miomët qëndrojnë në varshmëri me hormonin estrogjen (rritje e theksuar gjatë shtatzënisë, tërheqje ose ndalim i rritjes në menopauzë dhe mosparaqitje e tyre në klimakterium dhe te fëmijët).
Në aspektin patologjik miomi është tumor relativisht mirë i kufizuar (ka një pseudokapsulë), me konsistencë të fortë dhe nganjëherë me vatra të kalcifikuara. Histologjikisht përbëhet nga fije të muskulaturës së lëmuar dhe ind lidhor.
Vendi ku më së shpeshti lajmërohen miomët është trupi i mitrës, më rrallë qafa e mitrës dhe aparati mbajtës i mitrës (ligamentet). Shpesh miomët janë të shumtë (multiple), pra kemi të bëjmë me Uterus myomatosus.
Miomët në mitër mund të lokalizohen në murin e saj (intramural, më së shpeshti), nën mbështjellësin e mitrës në sipërfaqe (subseroz), nganjëherë pothuajse të lira në hapësirën e barkut dhe vetëm përmes një kërcelli të lidhur me mitër dhe së fundi mund të jenë të lokalizuara edhe nën mukozën e hapësirës së mitrës (submukoz).
Miomet si tumore beninje që janë, rriten ngadalë. Në rast të rritjes së shpejtë kur nuk kemi të bëjmë me shtatzëni, duhet të mendohet se kemi të bëjmë me një tumor tjetër që quhet sarkomë (tumor “i keq”, malinj). Përndryshe, vet miomet pothuajse shumë rrallë (nën 1%) ose fare nuk shndërrohen në tumore malinj.
Cilat ankesa mund t’i shkaktojnë miomet?
Miomet, në të shumtën e rasteve (50%) nuk japin simptome (vërehen rastësisht gjatë kontrollimit gjinekologjik). Përndryshe varësisht nga lokalizimi i lartpërmendur, madhësia dhe numri i tyre mund të shkaktojnë probleme të ndryshme. Një ndër to është çrregullimi në formë gjakderdhjeje (mioma intramurale, për shkak të pengesave në kontraktim të mitrës; mioma submukoze, për shkak të shtypjes në mukozë dhe lëndimit mekanik të saj; mioma subseroze, shtypje në fshikëzën e urinës ose në zorrë).
Një tjetër ankesë e shpeshtë janë dhimbjet gjatë menstruacioneve (dysmenorrhoe). Poashtu, anemia në mungesë të hekurit me plogështi e shkaktuar nga gjakderdhjet e lartpërmendura, mund të jetë problem serioz për femrën e prekur nga miomet.
Në rastet kur femra te e cila janë konstatuar miomet, mbetet shtatzënë, shpesh vjen deri te aborti, ose nëse shtatzënia zhvillohet më tutje, mund të kemi pengesë në lindje normale të fëmijës deri te çrregullimet në shkolitjen e placentes.
Uterus myomatosus (pra, shumë miome në mitër), mund të jetë edhe shkak i sterilitetit (që femra të mos mund të mbetet shtatzënë)
Si diagnostifikohen miomat?
Si te çdo sëmundje tjetër, edhe këtu është me rëndësi anamneza (ankesat e pacientes). Pastaj bëhet ekzminimi gjinekologjik dhe sonografia (ultrazëri) vaginal. Gjatë ekzaminimit gjinekologjik, mund te konstatohet rritje ose edhe deformim i mitrës.
Në ultrazë zakonisht shihen mirë miomet ku mund të përcaktohet lokalizimi, madhësia dhe numri i tyre. Këto të dhëna janë të rëndësishme për formën e terapisë e cila pason.
Çka mund të bëj femra për të parandaluar shfaqjen e miomëve?
Parandalimi i paraqitjes së miomëve nuk është i mundur. Nga ana tjetër, kontrollimet e rregullta gjinekologjike mund të vërejnë miomet në stadin e hershëm. Në këto raste, ato duhet të përcillen me ultrazë çdo 6 muaj.
Cila është terapia e miomëve dhe a është mjekimi i tyre gjithmonë i nevojshëm?
Në rastet kur femra nuk ka simptome klinike (ankesa) nuk ka nevojë për terapi të miomëve (përjashtim bën rritja e tyre e shpejtë).
Se cilën formë të terapisë për mjekimin e miomëve do ta përdorim, varet nga disa faktorë. Me rëndësi është mosha e pacientes (a është e re, psh. 25 vjeçe apo në moshë pak më të shtyrë – psh. 45 vjeçe), pastaj fakti se a ka fëmijë femra, apo edhe a ka dëshirë të lindë fëmijë.
Terapia mund të ndahet në:
a. terapi hormonale: me preparate antiestrogjene, me gestagene si dhe me GnRH-a. Qëllimi është të ndalet rritja e miomeve përmes ndërprerjes së efektit proliferativ të estrogjeneve. Pas ndërprerjes së terapisë mund të kemi efekt reverzibil (kthyes). Kjo formë e terapisë mund të aplikohet edhe te miomet e mëdha. Në rastet kur kemi ndryshime regresive të miomeve, shërimi me preparate hormonale nuk ka efekt. Preparatet GnRH-analoga, mund të aplikohen edhe si terapi disa mujore para se të operohen miomet.
b. terapi operative. Indikacion për këtë formë të mjekimit mund të janë: çrregullimet e përcjella me gjakderdhje të theksuar, dhimbjet, mbyllja (obstrukcioni) i ureterit, rritja e shpejtë, pasiguria në diagnozë (miomë ose tumor i vezores), steriliteti i femrës, komplikimet akute (përdredhja e miomes, infeksioni, etj). Operimi mund të bëhet me laparoskopi ose laparotomi dhe, atë në formë enukleimi (shkolitje) të miomëve me ruajtje të mitrës (te femrat që kanë dëshirë të lindin).
Te miomet submukoze, mund të provohet largimi i tyre me histeroskopi. Formë tjetër operative është heqja komplete e mitrës (histerektomia-HE) që mund të bëhet në forma të ndryshme (me laparoskopi – LSK, me laparotomi -LAP ose në formë vaginale).
Largimi i mitrës me LSK që paraqet operacion minimal invaziv dhe aplikohet sot në të gjitha vendet e zhvilluara, mund të bëhet në 3 forma: LAVH (“laparoscopic asisted vaginal HE”), LASH (laparoscopic supracervical HE- ku mënjanohet trupi i mitrës dhe mbetet qafa e mitrës) dhe TLH (total laparoscopic HE, pra, hiqet mitra komplet, duke përfshirë edhe qafën e mitrës përmes LSK). Duhet theksuar se të gjitha këto forma moderne të largimit të mitrës kryhen pa problem nga unë edhe në Prishtinë.
Si përfundim: miomët janë tumore beninje dhe femra e prekur nga to nuk duhet të brengoset tepër (nuk kemi të bëjmë me tumor malinj). Në të shumtën e rasteve, duhet vetëm të përcillen me ekzaminim gjinekologjik. Ankesat e ndryshme të shkaktuara nga miomet mund të evitohen me terapinë adekuate të tyre. /Telegrafi/
Dr. med Naim Shabani
specialist i gjinekologjisë dhe patologjisë
Dr. med Naim Shabani, është gjinekolog në Munih të Gjermanisë dhe bashkëpunëtor shkencor i klinikës Universitare LMU të Munihut)