-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

KB, OSCE, EU, Ambasadat, Thaçi dhe Jahjaga dënojnë sulmin ndaj varrezave serbe

Më të lexuarat

Në Kosovë policia tha se ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit ashkali nën dyshimin për përfshirje në dëmtimin e varrezave ortodokse në Fushë Kosovë afër Prishtinës.

Arrestimi pasoi një operacion të policisë për ndriçimin e incidentit i cili nxiti reagime të shumta të autoriteteve vendase e ndërkombëtare, të cilët thanë se dhjetëra varreza ortodokse janë dëmtuar në rrethana të paqarta.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cilëson “vepër të shëmtuar dhe kriminale”, dëmtimin e varrezave. “Akti i dëmtimit të varrezave është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe është sulm mbi vlerat civilizuese dhe te besimit në vendin tonë. Vandalizmi i varrezave është në kundërshtim me traditat, me tolerancën dhe respektin ndërmjet njerëzve të të gjitha komunitete dhe të gjitha besimeve në Kosovë”, thuhet ne reagimin e presidentes Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi dëmtimin e varrezave të komunitetit serb në Fushë Kosovë, duke e cilësuar këtë si një “sulm qyqar kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që është kultivuar gjatë gjithë historisë”. Ai zotoi një fond për restaurimin e varrezave ortodokse në Fushë Kosovë.

Incidenti u dënua edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë. Në një komunikate për opinion thuhet se “aktet e tilla janë anatemë e vlerave të një shteti demokratik dhe shumetnik. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të flasin hapur kundër këtyre akteve të mjerueshme dhe të bashkohen rreth idealeve të respektit të ndërsjellë dhe tolerancës që janë të mbrojtura nga Kushtetuta e Kosovës”.

Incidenti u dënua edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara i cili e cilëson si “akt të turpshëm dhe të përbuzshëm. Derisa kohët e fundit, komunat anembanë Kosovës kanë marrë pjesë në një program për restaurimin e varrezave ortodokse, fatkeqësisht, incidentet e tilla e pengojnë seriozisht përparimin e arritur”, thuhet në reagimin e UNMIK-ut.

Ndërkaq ushtruesja e detyrës së shefit të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Paivi Nikander, duke e dënuar incidentin thekson se “ky është një akt i tmerrshëm që paraqet mungesë absolute respekti për të vdekurit dhe komunitetin të cilit ata i përkasin. Unë u bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante të marrin masa të menjëhershme për t’i riparuar varret e dëmtuara dhe për t’i sjellë para drejtësisë kryesit e këtyre akteve”.

Policia e Kosoves, tha te mërkurën se “mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka eliminuar mundësinë e pasqyrimit të motiveve ndëretnike ose ndërfetare përkitazi me rastin në fjalë, duke nxjerrë në pah motive dhe qëllime të përfitimit personal, material nga ana e të dyshuarit të përfshirë në këtë rast”. Ka zëra që prapa kësaj të qëndrojnë shërbimet serbe…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit