Ministri i Jashtëm i Turqisë tha se disa nga sondazhet e bëra flasin se përqindja e votës “Po” aktualisht sillet në mbi 58 për qind, duke u shprehur optimist se numri do të rritet
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi se pritjet e tij për referendumin kushtetues në Turqi, janë që 63 për qind e votuesve të shprehen për përgjigjen “Po”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një prononcim për gazetarët në Stamboll, Çavusoglu tha se disa nga sondazhet e bëra flasin se përqindja e votës “Po” aktulisht sillet në mbi 58 për qind, duke u shprehur optimist se numri do të rritet.
Ai tha më tej se përqindja e votuesve jashtë është rritur me 30 për qind krahasuar me zgjedhjet paraprake presidenciale.
“Shpresoj të ketë më shumë. Qytetarët janë të interesuar të votojnë”, tha Çavusoglu sipas të cilit dalja e votuesve jashtë Turqisë parashihet të jetë mbi 50 për qind.
Rreth 3 milionë turq në 57 shtete të botës kanë të drejtë vote, dhe do të mund të votojnë në 120 misionet diplomatike.
Propozimi i pakos për reforma kushtetuese që përfshin 18 pikë ka kaluar procedurën parlamentare në janar të këtij viti.
Reforma parashikon rritjen e kompetencave të Presidentit të vendit që i lejon atij që të mbetet anëtar i partisë politike, ndërsa posti i kryeministrit do të hiqet.
Nëse votuesit pranojnë propozimin, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në nëntor të vitit 2019.