Marrëveshja është arritur gjatë vizitës së Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Katarit, Xhasim bin Xhasim al-Sani në Kajro.
Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Xhasim bin Xhasim al-Sani në konferencën e përbashkët për shtyp në Kajro me homologun egjiptian Hisham Kandil tha se në fazën e parë janë lëvruar 2,5 miliardë dollarë, nga të cilat 2 miliardë dollarë janë dhënë në formën e kredisë dhe gjysmë miliardë dollarë janë grant. Më vonë shifra e ndihmës që do të bëhet Egjiptit do të plotësohet deri në 5 miliardë dollarë.
Al-Sani hodhi poshtë pretendimet se Katari do të blejë ose do të marrë me qira Kanalin e Suezit. “Të gjitha këto pretendime ne i kemi mësuar përmes medias egjiptiane. Kanali i Suezit është arteria jetike e Egjiptit. Lajme të tilla ngjasojnë me një shaka absurde. Sepse një vend si Egjipti dhe burimi ekonomik i tij nuk mund të kontrollohet nga një vend tjetër. Lidershipin e Egjiptit në rajon e pranon edhe Emiri i Katarit, Hamad bin Halife al-Sani. Egjipti është vendi më i madh arab”, shtoi kryeministri i Katarit.
Lidhur me fjalimin e Presidentit të Sirisë, Beshar Esad drejtuar popullit të dielën Al-Sani tha: “Esadi më habiti me fjalimin që mbajti. Vazhdon po të njëjtën retorikë që nga fillimi i ngjarjeve. Vazhdon të jetë kryeneç me popullin sirian dhe me vetveten. Është e pamundur që gjaku që derdhet sot në Siri të shkojë dëm dhe përgjegjës për këtë gjakderdhje është Esadi. Shpresoj që të marrë një vendim të guximshëm”.
I pyetur për qëndrimin e Katarit ndaj grupeve palestineze Al-Sani tha: “Katari nuk mund të mbajë njërin nga grupet palestineze dhe të lëshojë tjetrin”.
Ndërsa Kryeministri i Egjiptit, Hisham Kandil nga ana e tij tha se në takimin që pati me homologun Al-Sani biseduan për çështjet e Palestinës dhe Sirisë, për marrëdhëniet dypalëshe, për kanalizimin përmes Egjiptit të ndihmave që Katari i jep Palestinës në kuadër të projekteve ndërtimore në Gaza.
Në takimet e Kryeministrit të Katarit, Al-Sani me Presidentin e Egjiptit Muhamed Mursi dhe Kryeministrin Hisham Kandil, morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit Muhamed Kamil Amr, Ministri i Financave El-Mursi Hixhazi, Kryetari i Kabinetit të Presidencës Egjiptiane Rifa’a el-Tantavi, Zëdhënësi i Presidencës Jasir Ali, Ministri i Financave të Katarit Jusuf Kemal dhe Ambasadori i Katarit në Kajro Seif bin Mukadim el-Buanejn./trt/kohaislame