Peruja po përballet më përmbytjet më të mëdha në dy dekadat e fundit të cilat u shkaktuan nga reshjet e mëdha të shiut dhe nga dalja e lumenjve nga shtretërit e tyre, ku si pasojë deri më tani janë konfirmuar 72 persona të vdekur dhe mijëra të evakuuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Shirat e rrëmbyeshëm të cilët kapluan bregdetin verior të Perusë, kanë izoluar shumë fshatra të vendit, ndërkohë që sinoptikët thonë se një mot i tillë do të vazhdojë edhe në dy javët e ardhshme.
Ujërat kanë përmbytur sistemin e kanalizimit në qytetet përgjatë bregdetit të Paqësorit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë është duke marrë masat kundër mushkonjave të cilat kanë filluar të mblidhen në moçalet e formuara.
Aktualisht dihet për rreth 115.000 shtëpi të dëmtuara dhe 117 ura, ndërkohë që numri i rrugëve të dëmtuara është gjithashtu i madh. Ndërkohë përmbytjet kanë detyruar evakuimin e banorëve në shumë fshatra.
Kryeqyteti Lima, që nga fillimi i javës është e pa ujë, ndërsa çmimet e produkteve të caktuara ushqimore janë rritur në mënyrë dramatike.
Autoritetet kanë angazhuar forcat e armatosura të cilat ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit publik në 811 qytetet në të cilat është shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Në përmbytje të ngjashme të cilat kapluan Perunë në vitin 1998 humbën jetën 374 persona.