Fëmijët nuk janë kukulla, por njerëz të vegjël. Janë të ndjeshëm, të frikësuar, euforikë dhe kuriozë. Për ta gjithçka është e re dhe e mrekullueshme. Por, kur frika ndaj diçkaje është e lartë, vetëbesimi është i ulët. Këtë duhet të mos e harrojë asnjë prind.
Fëmijët nuk duhet të trajtohen nga prindërit sikur ata të ishin robotë të vegjël të gatshëm për t’u komanduar prej tyre. Ata kanë nevojë të mësojnë të jenë “elastikë” për të dashur veten e tyre dhe për të treguar kujdes për të tjerët, për të mësuar të vlerësojnë diçka që kanë humbur dhe për të mësuar të kthejnë humbjet në fitore.
Ata kanë nevojë të rrisin vetëbesimin e tyre dhe detyrën për ta bërë këtë e kanë prindërit. Këto janë fjalitë që çdo prind duhet t’i thotë fëmijës së tij:
Të dua!
Dashuria që prindi mund t’i japë fëmijës nuk është asnjëherë tepër. Ju duhet t’i thoni shpesh fëmijës se e doni shumë dhe se është gjëja më e çmuar në jetën tuaj. Dashuria juaj zhvillon personalitetin e tyre si dhe u jep atyre shpresë.
Jam krenare për ty!
Fëmija ka nevojë për mbështetjen tuaj në atë që bën ose do të bëjë. Edhe pse shpesh nuk do te jeni dakord me atë që fëmija juaj do të ketë dëshirë të bëjë, ju duhet t’i tregoni atij se jeni krenarë për përpjekjet që ai bën për të qenë i pavarur.
Gabova, me fal!
Nëse pranoni para fëmijës tuaj se keni gabuar për diçka në drejtim të tij, ju i mësoni se jeni njeri dhe mund të gaboni. Ata do të kuptojnë se nëse gabojnë në diçka duhet ta pranojnë duke mësuar të përmirësojnë mangësitë që kanë. Fëmija juaj me anën e kësaj sjelljeje do të kuptojë se të mos jesh perfekt nuk është diçka e pazakontë, kjo sjell rritjen e vetëbesimit të tyre.