Zëdhënësi i Pentagonit Jeff Davis theksoi se qëllimi i forcave amerikane ishte një ndërtesë e cila gjendej pranë xhamisë në fshatin Xhina në afërsi të Halepit
WASHINGTON (AA) – Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni), në lidhje me akuzat për goditjen dhe rrënimin e xhamisë mbrëmjen e së enjtes në fshatin Xhina që gjendet midis qyteteve Halep dhe Idlib në Siri përmes një operacioni ajror nga avionë luftarakë amerikanë, pohoi se nuk kanë pasur në shënjestër xhaminë, por ndërtesën menjëherë pranë saj. Megjithatë, Pentagoni përmes fotogravie tregoi një xhami të paprishur të vjetër dhe të zbrazët, teksa në fakt objekti i goditur pranë saj nga avionët ishte pikërisht xhamia që aktualisht përdorej nga popullata, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Pentagonit Jeff Davis në konferencë për shtyp theksoi se qëllimi i forcave amerikane ishte një ndërtesë e cila gjendej pranë xhamisë në fshatin Xhina në afërsi të Halepit.
“Qarkullojnë lajme se ne kemi shënjestruar xhami. Natyrisht që ne nuk e kemi shënjestruar atë dhe një gjë të tillë nuk e bëjmë kurrë”, tha Davis, duke treguar fotografi dhe duke pohuar se ndërtesa e goditur është më e madhe se xhamia dhe gjendet menjëherë pranë xhamisë.
Megjithatë, Davis u shpreh se nuk e dinë se çfarë lidhje ka ndërtesa e goditur me xhaminë.
“Aty kishte një mbledhje të Al Kaidës të cilët i kemi ndjekur prej një kohe”, tha Davis, duke shtuar se nuk e dinin se për çfarë arsye dhe prej kur Al Kaida ka përdorur ndërtesën në fjalë. Davis rajonin e cilësoi si “Zonë e sigurisë e Al Kaidës”.
Ai theksoi se në ndërtesë në atë moment janë gjendur pjesëtarë të lartë të Al Kaidës dhe se gjatë operacionit janë vrarë “duzina” njerëz.
Davis po ashtu u shpreh se në mesin e të vrarëve nuk ka pasur civilë, megjithatë, pas plasimit të lajmeve për civilë të vrarë, ai tha se SHBA-të po hetojnë akuzat në fjalë.
Duke potencuar se nuk do të publikojnë videon e sulmit por vetëm fotografitë që posedojnë, Davis nuk u përgjigj në lidhje me atë se sa kohë pas sulmit janë shkrepur fotografitë dhe se në çfarë kohe për herë të fundit është fluturuar mbi sipërfaqen e njëjtë.
Pentagoni tregon xhaminë e vjetër dhe të zbrazët
Sipas njoftimit nga gazetari i AA-së në terren i cili ka parë xhaminë, ndërtesa e vogël pranë ndërtesës së goditur që tregohet në fotografitë e Pentagonit në fakt është një xhami e vjetër dhe e zbrazët.
Në këtë ndërtesë që shihet të jetë e padëmtuar, nuk ndodhën dëme të mëdha materiale në sulmin e mbrëmshëm.
Nga ana tjetër, xhamia që në fakt përdorej nga popullata është po ajo që në fotografitë e shpërndara nga Pentagoni shihet si rrënojë.
Shihet se në sulmin ajror të SHBA-ve, gati gjysma e ndërtesës së madhe, pra, xhamisë, është shkatërruar.
Gjithashtu, ora e operacionit ajror, që sipas Davis ka ndodhur në orën 19:00 sipas kohës lokale, përkonte me kohën e ezanit.
Mbledhje e një grupi me këndvështrime të ndryshme me Al Kaidën
Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka siguruar nga popullata lokale, në xhaminë e goditur mbrëmë nga avionët ushtarakë amerikanë gjendeshin shumicë e grupit të quajtur Xhemati Teblig, një pjesë e madhe e pjesëtarëve të të cilit jetojnë në pjesën rurale të Halepit, dhe të cilët çdo javë natën që lidh të enjten dhe të premten mblidheshin në një xhami në rajon pas namazit të jacisë.
Pjesëtarët e Xhematit Teblig, dje mbrëmë u mblodhën me popullatën lokale në Xhaminë e Hazreti Omerit në fshatin Xhina. Sipas njoftimit paraprak për popullatën lokale, pas namazit të jacisë ishte planifikuar bisedë fetare me xhematin.
Megjithatë, në këtë rajon, që kontrollohet nga opozitarët, xhamia u godit nga avionë luftarakë dhe u shndërrua në gërmadha në kohën kur xhemati ishte mbledhur në mënyrë të dendur.
Zyrtarët e mbrojtjes civile njoftuan se në xhami ndodheshin 200-300 persona, prej të cilëve 58 civilë kanë humbur jetën, ndërsa një pjesë e madhe e xhematit kanë ngelur nën rrënoja.
Ndryshe, Xhemati Teblig u themelua në vitin 1927 në Indi nga Muhammed Iljas Kandehlevi. Numri më i madh i pjesëtarëve të këtij xhemati gjenden në Indi, Pakistan dhe Bangladesh.
Ata shpeshherë kryejnë udhëtime për të shpjeguar principet e fesë. Në krye të rregullave të Xhematit Teblig është se ata distancohen nga mësimet radikale, mohojnë përdorimin e dhunës dhe qëndrojnë larg politikës.
Xhemati Teblig nuk bën pjesë në listën e organizatave terroriste të Pentagonit ose Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.