“Para se të na ftojnë më Tiranë (rikujtoj: ne nuk kishim kërkuar as të shkojmë, e as të dalim në syret atje), ne u thamë: “Merruni vesh ju çka të doni e ku të doni, që është në interes të shqiptarëve, dhe do ta keni mbështetjen tonë bllanko, por mos pritni të ulemi përballë atij që e nëpërkëmbi kaq vite shqiptarinë e Maqedonisë!”.
Por, “kryeplaku me progresivët e vet” nuk e kishin hallin te interesi shqiptar, por vetëm donin të pozonin për ta shpëtuar jetën politike të atij që nuk ishte “kryeplaku”, por “kryefajtori”.
Prandaj e bënë si e bënë dhe organizuan takim në Tiranë. Dhe, ne e pranuam takimin për hatër të Kryeministrit. Dhe, ne e pranuam Deklaratën si dokument i përbashkët i joni (jo i Tiranës) për shkak të parimit “i mbrojmë interesat shqiptare”. Por, ne ia thamë edhe Kryeministrit edhe në opinion e kemi thënë: me kryetarin e BDI-së nuk ulemi në Shkup, se ai për ne është Kryefajtori i gjendjes së shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo i bie se Kryeministrit nuk ia prishëm, por i thamë se me kryefajtorë nuk ulemi në Shkup.
E pastaj, kur Kryefajtori, në mënyrë infantile, i doli zot autorësisë, ne i thamë: “Mos gënjej, sepse Deklarata nuk është e ytja, por është e përbashkët e të gjitha partive!”.
E që ta sabotojë implementimin e Deklaratës dhe ta mbajë në jetë Gruevskin, Kryefajtori kërkoi nga kryetari i LSDM-së që të deklarohej për Deklaratën para se ta merrte mandatin. (Rikujtoj: ne i dhamë nënshkrimet pa kushtëzime për pjesëmarrje në qeveri – vetëm që kështu ta largojmë Gruevskin nga skena).
E, duke e kushtëzuar Zaevin me dhënien e nënshkrimeve, Kryefajtori ia ofroi mundësinë Ivanovit që ta shkaktojë krizën.
Tash vlerësoni se kush kujt i ka shërbyer!“, – ka shkruar nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.