0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Maqedoni: Ivanov ende nuk e mandaton Zaevin, rriten tensionet

Më të lexuarat

Kriza politike në Maqedoni vazhdon të përshkallëzohet edhe në aspektin e sigurisë pas zbardhjes së marrëveshjes për draft-ligjin për gjuhën shqipe mes Lidhjes Social-Demokrate dhe partive shqiptare.

Protestat e organizatave të ndryshme të martën në mbrëmje kanë përfunduar me dhunë ndaj një gazetari ndërsa janë regjistruar edhe incidente tjera ku në shënjestër të protestuesve kanë qenë edhe kalimtar të rastit.

Protestat tani janë shtrirë edhe në qytete tjera ndërsa mbahen kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe kundër siç thuhet, përpjekjeve të liderit opozitar, Zoran Zaev, për ndarjen e Maqedonisë.

Ndërkohë, ky i fundit tani dy ditë është në pritje të presidentit, Gjorge Ivanov për t’i dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re. Zaev ka thënë se marrëveshja e arritur mes tij dhe partive shqiptare, të cilat i kanë dhënë firmat e nevojshme për t’u mandatuar për kryeministër, është në përputhje me Kushtetutën, e cila përveç maqedonishtes si gjuhë të dytë zyrtare përcakton edhe gjuhën shqipe.

Por, nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, e cila është në pushtet tani 10 vjet, thotë se marrëveshja rrënon karakterin unitar të shtetit, andaj ka bërë thirrje për kundërshtimin e saj me të gjitha mënyrat e mundshme.

Thirrja e saj ka rritur tensionet dhe incidentet kryesisht nëpër rrugët e Shkupit.

“E dënojmë ashpër këtë dhunë të pakuptimtë dhe irracionale. Thirrjet për urrejtje, thirrjet për Maqedoni të pastër të gjitha këto paraqesin vepër penale dhe autorët e këtyre veprave, por dhe inskenuesit dhe organizatorët e protestave që nuk kujdesen që këto protesta të rrjedhin ashtu siç parashohin ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë, duhet të ballafaqohen me përgjegjësi penale”.

“Maqedonia është në prag të ndërlikimit të situatës dhe vetëm veprimi strikt i institucioneve në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën do t`i jap një kahje racionale kësaj situate. Qytetarët liri-dashës pro demokratik të Maqedonisë duhet të tregohen të përmbajtur dhe mos bien pre e këtyre manipulimeve të pushtetit në ikje”, thotë Petrit Saraçini, gazetar dhe përfaqësues i organizatës joqeveritare, “Civil”.

Protestat, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, më shumë kanë të bëjnë me shpërqendrimin e vëmendjes nga thelbi i krizës politike se sa për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqiptare.

Mirjana Najçevska, aktiviste dhe ish kryetare e Komitetit të Helsinkit, thotë se pas gjithë këtij skenari qëndron përpjekja e pushtetit aktual që përmes ngritjes së tensioneve ndëretnike t’i ikë debatit dhe hetimeve që kanë nisur nga Prokuroria Speciale për hetimin e skandaleve nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

“Vlerësoj se kriminaliteti po bën përpjekje që në të gjitha mënyrat t’i fsheh krimet e bëra. Një nga mënyrat më të thjeshta është ngritja e tensioneve ndëretnike pasi vetëm në këtë mënyrë mendojnë se mund të shpërqendrojnë vëmendjen nga e gjithë ajo që është bërë deri më tani. Është lehtë të nxitësh të rinjtë të bëjnë vepra të shëmtuara, por besoj se lojërat e tyre më nuk do të mund të kalojnë dhe të gjithë ata që i futen skenarëve të tillë duhet të përgjigjen penalisht”, thotë Najçevska.

Në protestat e organizatave që kundërshtojnë marrëveshjen për shqipen, po dëgjohen thirrje nga më të ndryshme ndërsa janë shpërndarë edhe kartëmonedha me simbole e personalitete shqiptare të UÇK-së duke ironizuar kështu me zgjidhjen dhe duke e paraqitur si shqiptarizuese të Maqedonisë.

Zgjidhja e krizës, sipas njohësve të çështjeve politike, qëndron në formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Një kërkesë të tillë të martën e bëri edhe departamenti i shtetit amerikan. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit