3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Assange: Interneti është i rrezikshëm dhe di më shumë për ne se nënat tona

Më të lexuarat

“Ata që na përcjellin dinë më shumë për ne, se ne për veten tonë”, ka thënë Julian Assange në një intervistë për botuesin serb “Albion Books”.
“Sëmundja që ka kapluar internetin përfshinë çdo shoqëri tonën, si dhe tërë civilizimin. Kjo sëmundje, e cila po përhapet çdo herë e më shumë, në një anë është monitorim absolut i qarkullimit të telekomunikacionit që ndodhë në internet: këto janë transaksionet tona financiare, idetë intelektuale, lidhjet personale… E, në anën tjetër këto janë mënyra të reja të kontrollimit të informatave, të mbikëqyrjes së rrjedhës së tërë civilizimit global”, ka thënë Assange, transmeton “Danas”.

“Ky zhvillim i situatës krijon një distopi nacionale në përmasat që nuk janë parë më parë. Ato nuk ndikojnë vetëm në një shtet apo rajon, por në tërë botën. Prek të gjitha vendet në të njëjtën kohë, sepse të gjitha shtetet janë të lidhura në internet. Çështja është se po ndodhë hajnia më e madhe në historinë e njerëzimit. Për shembull, Agjencia amerikane e Sigurisë Nacionale, që është agjencia më e madhe informative, në Kongres ka pranuar se kryen mbi 1.6 miliardë përgjime në ditë”, shton Assange.

Interneti, pohon themeluesi i Wikileaksit, është bërë një kërcënim për shoqërinë.

“Tanket kanë hyrë në hapësirën kibernetike. Ka dy mënyra në të cilat qytetarët mund të mbrojnë dhe të luftojnë kundër këtij problemi”, deklaron Assange.

“E para është që mënyrën tonë të komunikimit ta përshtatim me rreziqet që de facto ekzistojnë – pra, të jemi më të kujdesshëm në komunikime dhe lidhjet që ndodhin në botën online. Të jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto informata i mbledhin shtetet si SHBA dhe i përcjellin ato, jo vetëm agjencive të tyre shtetërore, por edhe partnerëve në korporata, të cilët janë mbulues apo teknikisht të ndërlidhur me agjencitë më të mëdha të spiunazhit, si dhe shteteve me të cilat kanë raporte bilaterale. Masa e dytë është teknologjia kriptografike që, kur përdoret siç duhet, ofron mbrojtje kundër vendeve më të fuqishme”, shton Assange.

“Çfarë mund të bëni nëse Google dhe Facebook di më shumë për ju se nëna juaj? Google e di atë që ju keni kërkuar një vit më parë, dy muaj më parë, tre ditë më parë, e ju nuk e dini këtë, kështu që mund të bëni pak gjëra e që shtetet e forta dhe aleatët e korporatave të mos e dinë. Mënyra më e mirë për të qenë të lirë është të ndalojmë këto organizata të dinë kush jemi ose për çfarë komunikojmë. Për ta arritur këtë, duhet përdorur kriptografinë”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit