Nuk ka të ndalur trafiku i drogës që nis nga Shqipëria për në Itali. Por nëse nga Shqipëria, droga me kamionë del nga porti i Durrësit, policët italianë kanë nisur që të kapin sasi të mëdha.
Por kamioni i fundit i kapur në portin e Ankonas ka çmendur edhe vetë italianët. Bëhet fjalë për një sasi prej 10 tonësh kanabis sativa që është kapur në një kamion të mbushur me hekur dhe që ishte nisur nga Durrësi për në Ankona e më pas në një qytet në veriun e Italisë.
Në pranga është vënë shoferi shqiptar, i cili është dërguar në qeli. Siç bëhet e ditur sasia rekord e kanabisit është kapur 2 ditë më parë në datën 18 shkurt, gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia e dogana, sepse kamioni që transportonte hekur kishte disa probleme me dokumentet.
Por kur kanë nisur kontrollet kanë zbuluar edhe sasinë rekord të kanabisit. Droga është zbuluar gjatë kontrollit me qentë e antidrogës.
Policia bën të ditur se droga kishte si destinacion një qytet të veriut të Italisë, ku më pas do të ndahej dhe do të shitej. Bëhet fjalë për 10 milionë doza që do të shiteshin në të gjithë Italinë e Veriut.
Hetimet në lidhje me këtë supertrafik janë duke vazhduar, ndërsa nga policia shqiptare nuk ka të dhëna për këtë sasi droge.
Image