Libia është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ky është premtimi që mori sot Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me fillimin e vizitës zyrtare në shtetin e Libisë.
Gjatë takimit me Kryetarin e Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar të Libisë, Mohamed Yousef el-Magariaf, ky i fundit tha se vonesa e Libisë për të njohur pavarësinë e Kosovës ka qenë e lidhur me raportet e saj me Serbinë. Mirëpo sipas tij përkundër kësaj Libia shpejt pritet që të ndërmarrë një hap të tillë, transmeton rtk.
Ndërkaq kryeparlamentari, Jakup Krasniqi tha se kjo vizitë në Libi është historike në marrëdhëniet e dy vendeve dhe shënon vizitën e parë zyrtare të autoriteteve të Kosovës në këtë vend.
Gjatë ditës kryeparlamentari Krasniqi i shoqëruar edhe nga deputet të Kuvendit të Kosovës janë takuar me anëtarë të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe siguri të Libisë. Gjatë ditës së nesërme Krasniqi pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë institucional dhe politik të Libisë./kohaislame