Ministri belg Ben Vejts kishte shkuar sot në konferencën për media me biçikletë, e cila disa minuta më vonë i është vjedhur, shkruan Reuters.
Ai ishte duke prezantuar një investim kapital, i cili parasheh që në shtigjet për çiklistë të investohen 300 milionë euro deri në vitin 2019, transmeton Telegrafi.
“Biçikleta ka qenë e lidhur me zinxhirë kur e ka lënë, megjithatë, pas gjysmë ore kur është kthyer ajo nuk ishte aty”, ka deklaruar zëdhënësja e ministrit.
Edhe pse çiklizmi është mjaft i popullarizuar si sport në Belgjikë, metoda më e parapëlqyer e transportit në këtë vend janë veturat, dhe kështu rrugët e Belgjikës janë më të frekuentuarat në Evropë.
Ministri është detyruar t’i telefonojë shoferit të vet që ta dërgojë në shtëpi, ka shtuar zëdhënësja e tij, duke shtuar se shpresojnë që përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të gjejnë hajnin e biçikletës.