BiH po ndeshet me një kërcënim në rritje të terrorizmit, tha gjykatësi kryesues në shpjegimin e vet.
Dënimi i Mevlid Jashareviçit, një person që shkrepi më shumë se 100 fishekë nga një armë automatike në ambasadën e SHBA në Sarajevë në tetor 2011, nxiti thirrje nga zyrtarët në BiH dhe komuniteti ndërkombëtar për një plan në rritje anti-terrorist.
Gjykata e BiH që i cilësoi veprimet e Jashareviç si “terroriste” , e dënoi atë me 18 vjet burg në 6 dhjetor, por shfajësoi dy personat që qenë akuzuar se kishin ndihmuar Jashareviç në sulmin.
Jashareviç është me origjinë nga Novi Pazari, Serbi, por jetoi për ca kohë në fshatin Gornja Maoca të BiH verilindore.
Avokati mbrojtës Senad Dupovac tha se dënimi i befasoi atë, por ai i qëndroi asaj që Jashareviç veproi i vetëm.
Unë qeshë në dijeni që nga fillimi se nuk kishte një grup terrorist të organizuar dhe mendoja se dënimi do të qe më i vogël. Ne do të ankohemi patjetër për këtë verdikt,” i tha Dupovac SETimes.
Megjithatë, disa ekspertë nuk janë dakord.
Borislav Bojiç, një anëtar i komisionit të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë i asamblesë së BiH, tha se verdikti është një shenjë se institucionet synojnë të merren seriozisht me problemin e terrorizmit në vend.