4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Promovohet enciklopedia “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”

Më të lexuarat

Në ambientet e Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR u promovua sot enciklopedia me titull “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, e botuar nga KMSH me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, të institucioneve qendrore e lokale, shkrimtarë e publicistë, familjarë të personaliteteve të përfshira në këtë botim, etj.
Ceremoninë e përshëndeti Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça. “Libri që kemi në dorë përbën një hap të rëndësishëm për të ndriçuar sadopak kontributin e prijësve myslimanë në historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët”, tha z. Muça duke shtuar: “Shpresoj që ky botim me vlera për 100 figurat e shquara islame shqiptare të jetë vetëm fillimi i një pune të gjatë për promovimin e personaliteteve të tilla, që kontribuuan kaq shumë për fe e atdhe”.
Pas tij përshëndetje bënë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe Rektori i Universitetit BEDËR, dr. Ferdinand Gjana, të cilët vlerësuan lart iniciativën e ndërmarrë nga Komuniteti Mysliman në promovimin e këtyre personaliteteve, të cilët dijet dhe aftësitë e tyre drejtuese i vunë në shërbim të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe formimit të vetëdijes kombëtare dhe fetare.
Studiuesi Xhemal Balla, pjesëtar i grupit të punës për hartimin e kësaj vepre, foli për vlerat që disponon kjo enciklopedi për komunitetin islam në veçanti dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.
Ndërsa dr. Agron Tufa foli për persekutimin e liderëve fetarë gjatë regjimit komunist, sistem të cilin, siç u shpreh ai, e frikësonte hija e këtyre figurave, që ishin shembull frymëzimi e burim krenarie për çdo shqiptar të ndershëm e patriot. “Vepra e tyre u la për shumë kohë në librin e harresës dhe gjatë shumë dekadave nuk u përmend asgjë nga kontributi i tyre i vyer. Por, populli nuk i harron ato ngjarje që i ka përjetuar vetë, nuk harron ata njerëz që i bënë të besojnë dhe që i mbushën me shpresë, ata njerëz që iu qëndruan gjithmonë pranë. Kjo enciklopedi dhe ky program i sotëm është shenja konkrete e kësaj mirënjohje të thellë”, u shpreh publicisti Tufa.
Në prezantimin e kësaj enciklopedie me interes u ndoqën edhe kumtesat e kancelarit të KMSH-së, z. Ali Zaimi dhe drejtorit të Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar, z. Genti Kruja. Z. Zaimi e vlerësoi këtë botim si tejet të rëndësishëm, pasi siç u shpreh ai “ky libër na njeh me individualitetin e secilit prej këtyre personaliteteve, por edhe me përpjekjet e tyre vetëmohuese për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe për arsimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Ndërsa z. Genti Kruja ka përcjellë falënderimet e institucionit për hartuesit dhe institucionet që ndihmuan në përgatitjen e këtij botimi, duke premtuar se ky botim do të shërbejë si pikënisje për të nxjerrë në pah figura të tjera islame të kombit shqiptar dhe të kulturës islame në të ardhmen.
Në emër të familjarëve të pranishmit i përshëndeti i biri i Mulla Idriz Gjilanit, Isa Mullaidrizi, i cili kishte ardhur nga Kosova posaçërisht për këtë ceremoni. I emocionuar, por edhe i kënaqur nga respekti për këtë vlerësim të madh, z. Mullaidrizi falënderoi Komunitetin Mysliman për këtë botim special dhe vlerësoi përpjekjet e tij të vazhdueshme për promovimin e figurave me kontribut të veçantë në historinë dhe jetën e shqiptarëve.

/Drita Islame/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit