1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Hyrja e Hamzës dhe Umerit në Islam

Më të lexuarat

Mekasit erdhën në përfundim se nuk ka zgjidhje tjetër, veçse t’i qërojnë hesapet me ata muslimanë të cilët kanë mbetur në Mekë, e natyrisht në krye të tyre vet Muhamedin [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] .

Kësaj radhe më seriozisht, vendosën të shkojnë te Ebu Talibi e t’i bëjnë presion të madh që t’ua dorëzonte Muhamedin alejhi selam e ta vrisnin, sepse siç kemi thënë, Pejgamberi alejhi selam kishte fatin më të mirë sesa muslimanët tjerë në këtë aspekt ngase kishte axhën Ebu Talibin, një mbrojtës shumë të fortë, falë autoritetit dhe pozitës që kishte Ebu Talibi në Mekë dhe më gjerë. Ebu Talibi nuk iu nënshtrua presioneve të mekasve, kështu që presionet e tyre vinin dhe u shtoheshin çdo ditë, ishte shumë e mundur për çdo çast (kohë) ta ekzekutojnë Pejgamberin alejhi selam. U përpoqën por ishte e kotë, Allahu e mbrojti.

Në këtë atmosferë të zymtë, në këtë gjendje të rëndë të muslimanëve, Allahu e forcoi këtë fe, me hyrjen në Islam të dy burrave të mëdhenj, të cilët vërtet ishin të mëdhenj, njëherë sa ishin jomuslimanë, e pastaj u bënë edhe më të mëdhenj pasi që u futën në Islam, e ata ishin Hamza, biri i Abdu-l-Mutalibit, axha i Pejgamberit alejhi selam dhe Umer bin Hatabi.

Shkaku i Islamit të Hamzës r.a. ishte hidhërimi apo inati i madh që e kaploi atë kur dëgjoi se Ebu Xhehli e ka ofenduar rëndë Muhamedin alejhi selam kështu që porsa dëgjoi për atë akt, shkoi në shpejtësi afër Qabesë ku edhe kishte ndodhur incidenti dhe pa u menduar iu afrua Ebu Xhehlit e po i thotë: Ti po e shan nipin tim, e unë duke qenë në fenë e tij dhe i ra me hark të shigjetës dhe i doli gjaku nga koka.

Islami i Hamzës r.a. në fillim ishte për shkak të fanatizmit familjar, por më vonë Allahu xh.sh. ia zbuti zemrën dhe u kap fort në Islam, u bë një kalorës i pashoq për këtë fe.

Ndërsa Umeri një njeri i çuditshëm, prej të parëve që janë tallur me muslimanët, njeri i vrazhdë, i rëndë, saqë kanë thënë se: Më parë bëhet musliman gomari i Umerit se sa vet Umeri r.a. Mirëpo Allahu ua din zemrat njerëzve, ua hap ato dhe ua mbyll ato, deshi Allahu e ia hapi Umerit zemrën për Islam.

Nga armiqësia e madhe që kishte kundër muslimanëve dhe Pejgamberit alejhi selam. ishte nisur një ditë për ta vrarë Muhamedin alejhi selam Gjatë rrugës kupton se motra e tij Fatimja dhe burri i saj Seid bin Zejdi janë bërë muslimanë, kthehet nga rruga, futet në shtëpinë e motrës së tij dhe i rrahu që të dy. Në momentin kur filloi gjaku t’i rridhte, atij i vjen keq për atë që bëri dhe kërkoi që t’i lexohet diçka nga Kur’ani. Hababi kishte qenë aty prezent duke ua lexuar një pjesë të Kur’anit Seidit dhe Fatimes, i cili i lexoi Umerit diçka nga Kur’ani me ç’rast iu zbut zemra, i pëlqeu ajo shkresë dhe vendosi të hynte në Islam. Për këtë njeri ishte lutur Pejgamberi alejhi selam që të hynte në Islam, sepse Pejgamberi alejhi selam ishte i bindur se një njeri si Umeri nëse futet në Islam, atëherë muslimanët shumë do të forcohen, për këtë edhe bëri dua alejhi selam ku tha: “O Zoti ynë, forco Islamin me njërin nga dy më të dashurit tek Ti: Me Umer bin Hatabin ose Ebu Xhehlin”. Mirëpo Umeri ishte më i dashur te Allahu dhe ia zbuti zemrën e hyri në Islam. Islami i këtyre dy burrave ndodhi në vitin e 6 të shpalljes, njëherë Hamza pranoi Islamin, e pas tri ditësh edhe Umeri r.a.

Vërtetë Islami i këtyre dy burrave ishte një krah i fortë për Pejgamberin alejhi selam dhe të gjithë muslimanët, siç ka thënë Abdullah bin Mes’udi r.a.: Islami i Umerit ka qenë krenari, Hixhreti (shpërngulja) e tij ngadhënjim dhe fitore, kalifati i tij rahmet e mëshirë nga Allahu. Nuk kemi mundur të falemi të lirë afër Qabesë derisa ka hyrë në Islam Umeri… Sepse mu atë ditë që ka hyrë Umeri në Islam i tha Pejgamberit alejhi selam: O i dërguar i Allahut, a nuk jemi në hak, në rrugë të drejtë?! Po, ia ktheu Pejgamberi alejhi selam. Atëherë pse pra të qëndrojmë fshehurazi, ejani pas meje shkojmë tash në Qabe dhe dolën në dy rreshta, ku njërit i printe Hamza ndërsa tjetrit i printe Umeri, dhe drejt shkuan te Qabeja pa guxuar kush me iu folur bile, natyrisht nga frika që kishin nga Umeri dhe Hamza dhe nga kjo ditë Pejgamberi e quajti Umerin Faruk, që do të thotë të ndash të vërtetën nga e pavërteta.

Pas Islamit të këtyre dy burrave të mëdhenj, kurejshitët u bindën se metoda e deritashme për t’i luftuar muslimanët dhe për t’i larguar nga feja nuk ka më efekt dhe se Islami veç sa po vjen e po forcohet. Kështu që vendosën ta ndryshojnë strategjinë e tyre kundër myslimanëve, e cila ndoshta do të jetë më e suksesshme sesa strategjitë e deritashme.
Marrënga libri: Rruga e ndriçuar (fq.80-83)
Autor: Dr. Shefqet Krasniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit