-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Meditimi mbi Kuranin

Më të lexuarat

Sipas besimit të Ehli Sunetit imani (besimi) shtohet dhe pakësohet. Shtimi i imanit të besimtarit ka shkaqe, të cilat nëse i merr robi do t’i shtohet imani.

Prej shkaqeve më të rëndësishme të shtimit të imanit është leximi i Kuranit me meditim dhe përsiatje. Kurani është libër udhëzimi. Ajetet e tij të qarta janë dritë përmes së cilës robi ndriçohet dhe udhëzohet drejt më së mirës: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira” (Isra, 9). Me Kuran robi del prej errësirave në dritë: “Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (Maide, 15-16)

Kurani është shërim për sëmundjet e zemrës nga dyshimet dhe epshet: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57)

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.”(Isra, 82)

“Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët.” (Fusilet, 44)

Kurani është shpallje përmes së cilës gjallërohen zemrat dhe shpirtrat: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë…” (Shura, 52)

Ai është libër me të cilin Allahu i ka ngjallur zemrat pasi ishin të vdekura: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë.” (Enam, 122)

S’ka dyshim se meditimi i Kuranit robit ia shton imanin, dritën dhe largpamësinë. Meditimi e ndihmon në të kuptuarit dhe të vepruarit e asaj që ka mësuar. Kështu ishin gjeneratat e para, Allahu i mëshiroftë, siç thotë Hasan Basriu: “Ata para jush Kuranin e shikonin mesazh nga Zoti i tyre, e meditonin gjatë natës dhe e zbatonin gjatë ditës”.

E qortonte atë që preokupimi i tij ishte vetëm leximi, megjithëse lexuesi shpërblehet vetëm me leximin e tij. Mirëpo pa dyshim se leximi i dobishëm për zemrën dhe ndikues në shtimin e imanit është leximi meditues, me përsiatje. Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë thotë: “O biri i Ademit! Si të të zbutet zemra kur brenga jote është si të arrish te fundi i sures?!”

Allahu i Lartësuar na thërret në meditimin e ajeteve të Librit të Tij. Ai thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët” (Sad, 29)

“A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Nisa, 82)

Gjithashtu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat e kyçura?!” (Muhamed, 24)

Dijetarët dhe burrat e devotshëm iu përgjigjën kësaj thirrjeje hyjnore dhe prej tyre shohim mrekulli. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka qarë. Sytë e tij lotonin kur Abdullah b. Mesudi i lexoi ajetet prej sures Nisa: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (Nisa, 41)

A thua kjo mund të ndodhë pa përsiatje? I Dërguari i Allahut alejhi selam gjithashtu i bëri thirrje umetit për përsiatje dhe kuptim të domethënieve të Kuranit. Kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët,  për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Ali Imran, 190-191)

Ai tha: “Mjerë për atë që i lexon dhe nuk përsiat për to.”

Ndërsa për sa i përket shokëve të tij, kishte që faleshin tërë natën me një ajet të vetëm duke e përsëritur, përsiatur dhe nuk e kalonte atë për shkak të kuptimeve që kishte apo përmbante premtim ose kërcënim. Muhamed b. Kab, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ta kaloj natën deri në agim me suret “Idha zulzilet” dhe “El Karia”, t’i përsëris dhe përsiat është më e dashur për mua se sa ta lexoj tërë Kuranin me shpejtësi.”

Robi kur e lexon Kuranin për ta përsiatur pa dyshim se i shtohet imani dhe fiton fryte të shumta, disa prej të cilave i ka përmendur Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, kur thotë: “Nuk ka gjë më të dobishme për robin në këtë botë dhe botën tjetër dhe më afër shpëtimit të tij sesa përsiatja e Kuranit, meditimi i gjatë. Përsiatja ia mundëson të njihet me drejtësinë e Allahut dhe mirësitë e Tij. Të njihet me Qenien, Emrat dhe Cilësitë e Tij, do të mësojë atë që do Allahu dhe atë që nuk do, të mësojë rrugën e banorëve të xhenetit dhe atyre të xhehenemit dhe veprat e tyre, gjendjen e atyre që janë të lumtur dhe atyre të dëshpëruarve…

E lusim Allahun e Lartësuar të na furnizojë me përsiatje të Librit të Tij dhe të na shtojë imanin tonë. Ai është i Plotfuqishëm! Falënderimi i takon Atij, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë për të Dërguarin, familjen dhe shokët e tij!

 

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit