3.9 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Mbroni të dhënat në laptopin tuaj

Më të lexuarat

Laptopët janë praktik, mirëpo të dhënat brenda tyre janë të ekspozuara ndaj disa rreziqeve shtesë, që është veçanërisht shqetësim nëse jeni shfrytëzues afarist i cili merret me të dhëna të ndjeshme. Disa nga këshillat e mëposhtme do të duhej të zvogëlonin dëmin në rast se ndodhë më e keqja.
Të dhënat në laptopë, shumë shpesh, vlejnë më shumë se vet ai kompjuter, e edhe nëse nuk kanë ndonjë vlerë të madhe materiale, në rast të vjedhjes, shumica e të dhënave personale të cilat gjenden në kompjuter – po ra në duar të personave të gabuar, mund t’i shkaktojë kokëçarje të mëdha pronarit – andaj situatat e tilla më mirë është të parandalohen.

1. Asnjëherë, ama bash asnjëherë mos i leni fjalëkalimet (passwordat) në shtëpizë të laptopit apo në çantën e kompjuterit. Provoni t’i mbani mend, por nëse mbajtja në mend nuk u shkon për dore, atëherë ruani ato në ndonjë pajisje tjetër që e keni gjithmonë afër vetes – si p.sh. celular. Gjithashtu do të ishte e mençur të shkruhet fjalëkalimi në atë mënyrë që të mos jetë e qartë se për çfarë bëhet fjalë.

2. Vjedhja e laptopëve në rastet më të shpeshta ndodhë kur dikujt i jepet rasti ta bëj atë. Po e latë laptopin pa mbikëqyrje në një vend ku ka shumë njerëz, sigurisht që dikush do ta vjedhë vetëm për faktin pse mundet. Kur ta leni laptopin në automjet, gjithmonë vendosni në bagazh ku nuk shihet nga kalimtarët, në dhomë të hotelit asnjëherë mos e lini në tavolinë, por vendoseni në çantën e vet dhe largojeni nga vendi ku bie në sy. Më së miri do të ishte ta vendosni në ndonjë sef, andaj para se ta rezervoni dhomën pyetni nëse ajo ka në dispozicion një sef. Shumica e hoteleve kanë, nëse asgjë tjetër, një përqindje të dhomave me sef.

Një metodë e shkëlqyer kundër vjedhjes së laptopëve është brava (bllokuesi) Kensington. Laptopët modern kanë një vrimë në shtëpizë ku mund të fusni bravën me tel apo me zinxhir i cili më pas ngjitet për diçka të fortë dhe që është fikse (radiator, tavolinë e rëndë, krevat). Bravat Kensington posedojnë shifrën apo drynin me çelës, e emrin e kanë marrë sipas kompanisë e cila fillimisht ka filluar t’i shfrytëzojë ato. Me kohë sistemi i tyre është bërë standard i miratuar nga pothuajse të gjithë prodhuesit e laptopëve.

3. Të dhënat posaçërisht të ndjeshme në laptopë gjithsesi mbroni me enkriptim shtesë. Sistemi Windows përmbajnë në vete EFS (Encrypted File System), e mund të përdoren edhe zgjidhje nga prodhuesit tjerë, siç është Drivecrypt i kompanisë me renome botërore Securstar. Të dhënat e mbrojtur në këtë mënyrë pothuajse është e pamundur të lexohen, e shanset që këtë të arrijë ndonjë hajn i rëndomtë janë barazi me zero.

4. Mbroni sistemin tuaj me fjalëkalime. Çdo laptop mund të sigurohet me fjalëkalimin në BIOS qysh në nisjen e kompjuterit, fjalëkalimi shtesë mund të kyçet para fillimit të punës së Windows. Keni kujdes që fjalëkalimi të mos jetë i thjeshtë dhe shfrytëzoni shkronja të mëdha e të vogla si dhe numra në një fjalë. E në rast që laptopi ka transmetues identifikimi nëpërmes gishtit, gjithsesi përdoreni.

5. Nëse ndodhë me e keqja dhe ua vjedhin laptopin, do të kishte shumë vlerë po ta gjenit prapë. Ekzistojnë kompani të cilat mundësojnë përcjelljen e laptopëve në bazë të softuerit të instaluar. Fatkeqësisht, ai softuer mund të bëj punë vetëm kur laptopi juaj i vjedhur të kyçet në internet, por edhe kjo është më mirë se hiç.

www.truecrypt.org
www.kensington.com
www.thelaptoplock.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit