Partia Fjala kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Kryetari i saj, Gëzim Kelmendi rreshton disa arsye pse duhet të ndodhë kjo.
Sipas tij, nuk ka mbetur asnjë arsye e vetme që të vazhdojnë bisedimet me Serbinë. Pse të bëhemi servilë dhe të etur për bisedime, kur deri me tani asgjë nuk kemi fituar. Ne nuk kemi vrarë mbi 20.000 civilë, ne nuk kemi dhunuar mbi 12.000 femra, ne nuk mbajmë nëpër varreza masive mbi 1000 trupa, përkundrazi këtë e ka bërë Serbia dhe ne i themi Serbisë duam të bisedojmë me ty.
President, kryeministër dhe kryeparlamentar, mendoni more pak për Kosovën e jo vetëm për veti.
Mjaft u bë, ngase:
1. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimin dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë,
2. Serbia ende nuk i ka kthyer të pagjeturit,
3. Serbia ende ka të ngritura fletarrestet për ish-ushtarët e UÇK-së,
4. Serbia vazhdon të arrestojë qytetarët e Kosovës (në veçanti ish-pjesëtarët e UÇK-së),
5. Serbia në vazhdimësi cenon integritetin territorial të Kosovës (ndërtimi i murit, treni rus),
6. Nga këto bisedime ka përfituar vetëm Serbia, ngase pas liberalizimit të vizave, pritet tash ta fitojë statusin e anëtarit të BE,
7. Kosova është duke humbur nga këto bisedime:
a. ende s’ka liberalizim të vizave,
b. duhet të falë tokë – demarkacioni,
c. duhet të themelojë komunat me shumicë serbe – Asociacioni, – thekson Kelmendi në deklaratën e tij në emër të partisë që e drejton.