Deputeti i pavarur i parlamentit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, ka thënë se është e drejtë e tij të mendojë se perandoria osmane nuk ishte pushtuese, por se shqiptarët kanë bashkësunduar me osmanët.
“Është e drejtë e imja të mendoj se perandoria osmane nuk ka qenë pushtuese”, ka thënë Kelmendi në Info Magazine të Klan Kosova.
“Fakti është se ne e dimë me kë ka luftuar perandoria osmane; qëllimi i osmanëve në shekullin 14 nuk ka qenë shkatërrimi i identiteteve kombëtare, ka qenë sjellja e islamit prandaj jam mirënjohës se falë tyre e kemi të ruajtur identitetin kombëtar dhe nuk i konsideroj pushtues. Ne kemi bashkësunduar me Perandorinë osmane”, ka pohuar Kelmendi.
Kelmendi ka pasur kritika edhe me postimin e Presidentit, Hashim Thaçi, për 549 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
“Unë kam reaguar ndaj postimit të Presidentit, pasi ai pas gjithë asaj pritje që i ka bërë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk ka qenë e drejtë ta bëjë postimin se osmanët kanë qenë pushtuese dhe Skënderbeu ka bërë luftë të paepur kundër osmanëve”.