14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“Nuk do të…”

Më të lexuarat

“Nuk do të…”

Hadithet e kësaj dite lidhen me natyrën e mëshirshme të muslimanit, butësinë, mëshirën, dashamirësinë dhe fisnikërinë e tij. Ato janë porosi të Resulull-llahut (a.s), që muslimani të përsosë besimin e tij dhe të përmirësojë sjelljen dhe marrëdhëniet e tij familjare, farefisnore dhe sociale.

Këto dhjetë hadithe të përzgjedhura për këtë ditë, kanë një vlerë të madhe morale dhe shpirtërore, sepse, sikurse edhe blloqet e tjera të haditheve të ditëve që kaluan, ato prezantojnë më së miri lartësinë e muslimanit në jetë, modelin e tij të jetuarit, si dhe shembullin e mrekullueshëm që synon të ndërtojë Resulull-llahu (a.s) nëpërmjet njeriut-musliman-shembullor, sidomos në marrëdhëniet e tij me vëllanë e tij musliman.

Në disa vende, ku përmendet se: “Nuk do të hyjë në xhennet…”, ka për qëllim: “Nuk do të hyjë pa u ndëshkuar fillimisht, sepse kjo është mënyra e komentimit dhe shpjegimit të këtyre lloj haditheve…”, sikurse shpjegon edhe Et-Turbeshti, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 6. f. 552.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Nuk do të…”, a: “Mos…”.

1. “Nuk pranohet namazi pa pastërti, as sadekaja nga malli i grabitur!” – (Hadithi nr. 9840, f. 582. Ahmedi, Bukhariu dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra. Etj.).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, nuk pranohet sadekaja nga malli i grabitur, si vjedhja, mashtrimi etj.” – (vëll. 6, f. 511).

2. “Nuk hiqet mëshira, vetëm se nga i humburi!” – (Hadithi nr. 9870, f. 583. Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Sepse: “Mëshira ndaj krijesave është butësi në zemër, që në vetvete është shenjë e besimit dhe. kushdo që nuk ka butësi nuk ka besim dhe kushdo që nuk ka besim është i humbur. Sepse kujt nuk i është dhënë butësia, ka humbur!”, siç ka thënë Et-Tibi…

Ndërsa Kurtubiu ka thënë: “Mëshira është butësi dhe dhembshuri, që njeriu i ndjen në veten e tij kur sheh ndonjë të sprovuar, të vogël a të dobët. Kjo ndjesi e merr për dore drejt bamirësisë, butësisë, përkujdesjes dhe vrapimit drejt largimit të dhembjes që e ka kapluar (personin në fjalë)…”] – (vëll. 6, f. 520).

3. “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për veten e tij!” – (Hadithi nr. 9940, f. 586. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, nga Enesi).

4. “Nuk do të arrijë njeriu vërtetësinë e besimit, derisa të ruajë gjuhën e tij!” – (Hadithi nr. 9943, f. 586. Tabaraniu dhe Ed-Dija, nga Enesi).

5. “Nuk i lejohet muslimanit të frikësojë (të trembë) muslimanin!” – (Hadithi nr. 9958, f. 587. Ahmedi dhe Ebu Davudi, nga Abdurrahman Ibn Ebil-Lejla).

6. “Nuk do të hyjë në xhennet ai që ndërpret lidhjet farefisnore!” – (Hadithi nr. 9962, f. 587. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Xhubejri).

7. “Nuk do të hyjë në xhennet ai, komshiu i të cilit nuk i zë besë të keqes së tij!” – (Hadithi nr. 9964, f. 587. Muslimi, nga Ebu Hurejra).

8. “Nuk grabit besimtari!” – (Hadithi nr. 9975, f. 588. Tabaraniu, nga Ibn Abbasi).

9. “Nuk pranohet besimi pa vepra, as vepra pa besim!” – (Hadithi nr. 9980, f. 588. Tabaraniu, nga Ibn Omeri).

10. “Mos të vdesë ndonjëri prej jush, vetëm se duke menduar mirë për All-llahun!” – (Hadithi nr. 9987, f. 588. Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh, nga Xhabiri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, të mendojë se All-llahu do ta mëshirojë dhe do ta falë, sepse në momentin kur afrohet exheli dhe vjen çasti i largimit të tij, nuk ka më kuptim të ketë frikë…” – (vëll. 6, f. 560).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit