Analiza, e publikuar nga “Washington Post”, ka evidentuar se nga viti 2015, gjithsej janë ekzekutuar 2 mijë persona. Nga viktimat, 876 ishin meshkuj dhe 300 prej tyre nuk ishin as 30 vjeç
Në SHBA në dy vjet janë vrarë nga policia rreth 2 mijë persona, nga këta 86 kanë pasur me vete armë jo të vërteta. Të dhënat tregojnë një Amerikë të përgjakur dhe të dhunshme: tensioni në rrugë duket se ka sjellë zemërimin qytetar dhe të forcave të rendit, aq sa qëllohet me armë zjarri edhe kur i dyshuari ka në duar një pistoletë-lodër. Gjithçka mund të shndërrohet në një armë, në errësirën e një rrugice, para së gjithash nëse pistoleta e rreme i ngjan në çdo detaj asaj të vërtetës.
“Washington Post” ka publikuar shifrën e personave të vrarë nga policia në dy vitet e fundit. Vetëm në vitin 2016, vdekjet kanë qenë 916: 300 viktima kanë qenë më pak se 30 vjeç, ndërsa numri i agjentëve që kanë dhënë goditjen fatale, është bërë i ditur vetëm në një të tretën e rasteve. Të dhënat bëhen edhe më impresionuese nëse shikohet numri i viktimave me armë-lodër, 44 ose plotësisht të paarmatosur, 46.
Janë shifra shumë të larta, duke konsideruar që çdo agjent i forcave të rendit zotëron një “Taiser”, një armë në gjendje për të paralizuar deri në 10.5 metra largësi. Një tjetër e dhënë për t’u konsideruar, është që viktimat gra kanë qenë “vetëm” 38 kundrejt 876 meshkujve, në thuajse të gjitha rastet sipas agjentëve të përfshirë, i dyshuari nuk ka ndjekur urdhrat, si të ngrejë duart apo të mos lëvizë.
“Një pistoletë-lodër në një vend me 300 milionë armë zjarri të vërteta, është e vështirë ta përcaktosh”, – ka deklaruar për “Washington Post” Chuck Wexler i “Police Executive Research Forum”.
Problemi i armëve të rreme doli në qendër të vëmendjes në vitin 2014, kur policia e Klevlendit, ndërsa ishte vënë në ndjekje të një njeriut të armatosur, gaboi person dhe qëlloi për vdekje 12-vjeçarin Tamir Rice, i cili po luante në një park me një pistoletë-lodër.
Debati mbi armët, ka qenë gjithnjë shumë i tendosur në SHBA: kushdo, pas verifikimit të kërkesave mund të ketë një armë për qëllime vetëmbrojtje falë amendamentit të dytë të Kushtetutës amerikane. Por kjo e drejtë, ka qenë objekt i shumë polemikave dhe kritikave për shkak të numrit të lartë të viktimave nga të shtënat me armë zjarri apo incidenteve. Rrezik që duket se është bërë gjithnjë ë më real sipas kësaj analize.