2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Motorola ofron maksimumin e jetëgjatësisë së baterisë

Më të lexuarat

Smartfonët bëjnë plot gjëra: Përveç së realizojnë telefonata, dërgojnë dhe marrin e-maile si dhe lundrojnë në internet. Gjithashtu ata shërbejnë si shikues mediash, sisteme lundrimi dhe pajisje lojërash. Por gjithë ky funksionalitet rëndon mbi jetën e baterisë, e cila, nëse smartfoni përdoret shumë, do të mbarojë në fund të ditës. Motorola dëshiron ta ndryshojë këtë gjë.

Smarftoni Droid Razr Maxx HD, i cili do të ofrohet nga Verizon Wireless, ka një bateri ekstra të madhe, që pretendon se ofron deri në 32 orë performancë dhe 23 orë kohë bisede si dhe përmirëson modelin e shkuar me një ekran më të mprehtë. Droid Razr Maxx HD kushton 300 $ në SHBA me një kontratë dyvjeçare, që do të thotë 50 deri në 100 $ më shumë sesa disa prej smartfonëve më të mirë, si iPhone 5 dhe Samsung Galaxy S III. Kamera është mesatare. Megjithatë për ata që janë gjithnjë në lëvizje dhe kërkojnë një pajisje të mirë, nuk kanë pse të hezitojnë që të blejnë një telefon të tillë.

Për krahasim, Apple vlerëson se iPhone 5 ka deri në 8 orë bisedë, kurse Samsung Galaxy S III deri në 17 orë. Sigurisht që këto teste nuk simulojnë përdorimin e zakonshëm të smartfonëve në botën reale, prandaj unë i mora shënim të dhënat e baterisë gjatë përdorimit ditor. E vetmja anë negative e kësaj baterie është se nuk mund të hiqet nga telefoni, kështu që nuk mund ta përdorni në një tjetër telefon nëse mbeteni pa bateri dhe nuk keni një karikues aty. Por nuk janë të paktë ata që nuk përdorin më telefona me bateri që hiqet.

Me bateri më të mëdha, mund të mendoni se telefoni duhet të jetë i trashë, por nuk është kështu me Droid Razr Maxx HD. I gjatë vetëm 13 cm dhe 6.7 cm i gjerë, nuk është kompakt, por është i hollë, thuajse 1.2 cm. Mund ta fusni në xhepin e pasmë pa problem. Pajisja është ndërtuar me materiale të forta, si fibra Kevlar dhe ka edhe sipërfaqe rezistente ndaj ujit për ta mbrojtur nga ndonjë aksident. Nuk mund t’i duroj telefonat që duken si prej plastike nëse duhet të paguaj 300 $ për një të tillë.

Ekrani 4.7 inç (11.75 cm) me prekje i Droid Razr Maxx HD është i mbrojtur edhe nga një shtresë ekstra xhami për ta mbrojtur nga gërvishtjet. Rezolucioni i tij është përmirësuar në krahasim me Droid Razr Maxx, duke ofruar 1,280 me 720 pikselë në krahasim me 960 me 540 pikselë. Teksti dhe fotot duken më të qarta dhe ngjyrat ishin vibrante, ndoshta pak si të forta.

Smartfoni ofrohet me sistemin operativ Android 4.0 Ice Cream Sandwich i Google. Motorola thotë se do ta përditësojë me Android 4.1 Jelly Bean para vitit që vjen, që do të thotë se do të ketë kërkim më të mirë dhe njoftime më të detajuara, ndër tiparet e tjera. Por kompania nuk ka dhënë informacion se kur mund të ketë Android 4.2, që ofrohet me Nexus 4.

Fatkeqësisht, telefoni është i mbingarkuar me aplikacione ekstra nga Verizon, si Verizon Video dhe V Cast Tones, të cilat nuk mund të fshihen. Droid Razr Maxx HD ofron 16 GB memorie të brendshme dhe vend për microSD, vendi i së cilës në fakt mezi hapet dhe kërkon një vegël speciale (përfshihet në ambalazh) për ta hapur. Dobësia e vetme e madhe e këtij telefoni ishte kamera prej tetë megapikselë. Edhe në dritë natyrore, fotot duken pak të errëta. Për pasojë, disa prej detajeve ishin të vështira për t’u parë në fotot. Cilësia e fotove ishte edhe më e dobët nga fotot e bëra në ambiente të mbyllura.

Megjithatë, pikat e forta ishin më shumë sesa ato të dobëta. Cilësia e thirrjeve ishte shumë e mirë dhe nuk pata asnjë ndërprerje gjatë testeve të mira. Rrjeti 4G i Verizon ofronte shkëmbim të shpejtë të të dhënave. Performanca ishte e mirë, pa probleme. Nëse i keni mundësitë për ta blerë dhe jeta e baterisë ka shumë rëndësi për ju, Motorola Droid Razr Maxx HD nuk do t’ju zhgënjejë. (PCWorld Albanian)/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit