Ndërkohë që zbulimet mbi përfshirjen e Rusisë në procesin elektoral në SHBA tronditën Amerikën, ka shenja ogurzeza se Rusia po përhap propagandë dhe po angazhohet në sulme kibernetike në Europë, përpara disa palë zgjedhjeve që do të zhvillohen aty vitin tjetër.
Në 2017-ën, Gjermania, Franca dhe Holanda do të zhvillojnë zgjedhje.
Është gjithashtu e mundshme që Italia do të afrojë zgjedhjet e planifikuara për vitin 2018, pas dorëheqjes së Kryeministrit Matteo Renzi, pasi votuesit hodhën poshtë një referendum për reformën kushtetuese këtë muaj. Kandidatët që janë populistë të djathtë dhe miqësorë me Rusinë, janë duke fituar terren nëpër Europë, pjesërisht falë ndërhyrjes së Rusisë, që është pak a shumë ajo për të cilën Moska u akuzua se bëri në SHBA. Duket se objektivat e Rusisë në Europë janë që të zgjedhë udhëheqës të huaj, të cilët simpatizojnë ekspansionizmin rus, për të dobësuar NATO-n dhe fuqizuar forcat kundër Bashkimit Europian.
Në Francë, Fronti Nacional i Marine Le Pen përfitoi në vitin 2014 nga një hua 11.7 milionë dollarë prej Kremlinit, për të ndihmuar financimin e fushatës. Dhe fituesi i republikanëve këtë muaj, François Fillon, ka bërë thirrje për heqje të sanksioneve ndaj Rusisë, sanksione që u vendosën pas aneksimit të Krimesë dhe luftës në Ukrainë, si dhe për të punuar me Rusinë me qëllim frenimin e imigrimit dhe parandalimin e terrorizmit.
Në Holandë, partia populiste për lirinë, e Geert Vildersit ka pësur rritje, me një fushatë “Ta bëjmë Holandën sërish të madhe”, të ngjashme me atë të Trumpit, e cila është në thelb kundër imigrantëve dhe kundër myslimanëve. Vilders po bën thirrje për një dalje nga Bashkimi Europian.
Gjermania është një shënjestër kryesore për ndërhyrje: Kancelarja Angela Merkel, e cila po kandidon për t’u rizgjedhur, ka qëndruar fort në mbrojtjen e vlerave liberale, unitetin e Europës dhe sanksionet ndaj Rusisë. Agjencia e zbulimit e Gjermanisë ka konkluduar se Rusia ishte me shumë gjasa prapa ndërhyrjes në rrjetin e kompjuterëve të Parlamentit në vitin 2015, dhe ka shumë dyshime se ajo është gjithashtu prapa një sulmi muajin e kaluar, i cili ndërpreu shërbimin e internetit dhe telefonisë për 900 mijë gjermanë.
Ka prova të forta se Rusia ka luajtur një rol në humbjen e referendumit në Itali, si dhe në votimin për Brexit në qershor, ashtu sikurse dhe në një referendum në Holandë në muajin prill, ku votuesit hodhën poshtë një marrëveshje për të forcuar lidhjet mes Bashkimit Europian dhe Ukrainës. Mënyra më e sigurtë për të garantuar që Rusia të mos përsërisë këta suksese në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, është që të ekspozohen taktikat e saj, përpara se votuesit të shkojnë të votojnë.
Si thotë Kancelarja Merkel: “Sulmet kibernetike apo konfliktet hibride, si njihen ata në doktrinën ruse, janë tashmë pjesë e jetës së përditshme dhe duhet të mësojmë të merremi me to. Në këtë pikë duhet të informojmë njerëzit”.
E ardhmja e demokracive perëndimore mund të varet nga suksesi i qasjes së Merkelit, dhe se sa fort do ta ndjekin atë, udhëheqësit e tjerë liberalë të Europës. / NYT – Bota.al