Me debate të ashpra ka nisur sot seanca plenare e kësaj të enjteje, mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të Partisë Demokratike.
I pari që e mori fjalën ishte kreu i qeverisë, i cili në fokus të fjalimit të tij kishte ligjin për vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarët, Vetting-u.
Rama akuzoi edhe sot opozitën se, “po pengon në mënyrë të qëllimshme ligjin në fjalë e për rrjedhojë edhe procesin e integrimit të vendit, që sipas tij nuk ka asnjë kusht tjetër veç Vetting-ut”.
Më pas kreu i qeverisë ka theksuar se progresi i mëtejshëm në implementimin e 5 prioriteteve që lidhen me reformat është thelbësor për çdo vend që synon integrimin, por këto prioritete sipas tij janë vetëm kritere dhe jo kushte për anëtarësim.
Njëkohësisht në fjalën e tij, kryeministri ka folur për herë të parë lidhur me lirimin pak ditë më parë të Lulzim Berishës, i akuzuar për disa vrasje. “Edhe sot nuk keni kurajo të thoni se kush e liroi Lulzim Berishën, por thoni e liroi Bashkia e Durrësit. Progresi i mëtejshëm për zbatimin e reformave është thelbësor”, tha kreu i qeverisë.
Rama ka folur gjithashtu edhe për dëmshpërblimet e përmbytjeve si dhe për rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke folur për përmbytjet, kryeministri tha se qeveria e mëparshme ia ka lënë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike detyrimin e shlyerjes së dëmeve nga përmbytjet.
Kryeministri u ndal edhe te Paketa e Solidaritetit, e cila ka të bëjë me rritjen e pagave, pensioneve dhe dëmshpërblimet e familjeve të përmbytura apo edhe të fermerëve.
Ndërkohë debati nisi pikërisht në momentin kur Rama po mbaronte fjalimin e tij dhe në Kuvend vjen ish-kryeministri Sali Berisha, i cili merr gjithnjë vëmendjen e tij.
Duke mos i kursyer batuat, kryeministri iu drejtua sot me fjalët: “Shyqyr që erdhe Sali, se e di ti, këta deri tani ishin si pula të therura”.
I nxehur nga etiketimet që Rama iu vuri deputetëve të opozitës, kreu i PR-së, Fatmir Mediu e ftoi t’i jepte fund këtyre fjalëve duke e quajtur Ramën “lolo”. “Nëse i konsideron deputetët pula të therura, po i them që është gomari më i madh në këtë sallë”, u shpreh Mediu.
Në një mendje me të ishte edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ku tha: “Fatmir, mos u mërzit nga fyerjet e tij, s’mund të preket askush, kot revoltohesh. I vetmi oborr jo mbretëror ku “loloja” ka marrë fronin e mbetur bosh është oborri i Parisë Socialiste”.
“Ne jemi këtu për qytetarët dhe jo për atë që foli më parë dhe që del këtu e bën atë që ka bërë këto 3 vjet, mashtron. Ne nuk fyhemi nga loloja e PS-së, por shqiptarët. Ai i ka zhveshur qytetarët dhe pasi u ka marrë çdo gjë, çdo lek në xhep, vjen sot këtu që t’ju japë thërrimet që i kanë ngelur”, tha Paloka.
Më pas fjalën në seancën e sotme plenare e mori ish-kryeministri Sali Berisha, ku edhe ky e nisi me akuza ndaj Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri është autori kryesor i bllokimit të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Mashtron në mënyrën më të shpërfytyruar dhe përpiqet të përdorë kamerat dhe mikrofonat për të mashtruar në mënyrë të ulët qytetarët, për një nga çështjet më madhore, procesin më kardinal, atë të integrimit në BE”, tha Berisha.
