Ministri turk i Mbrojtjes Fikri Işık, ka ndjekur nga afër testet e raketave e sistemit mbrojtës, Hisar. Pas testeve ai ka thënë se beson që Turqia mund të bëjë më të mirën, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Işık ka marrë pjesë në testin e Hisar-it në qytetin Aksaray dhe më pas ka falënderuar inxhinierët që kanë punuar në këtë projekt. Pas testeve të hedhjes, ministri Işık ka vizituar edhe hapësirën e hedhjes së raketave rreth 11 kilometra larg qendrës së komandës.
Ndërkohë në një fjalim përballë inxhiniereve dhe punonjësve, ministri Işık ka thënë se prodhimi i një sistemi mbrojtës antiraketor krejtësisht vendas është një “borxh ndaj atdheut”.
“Disa shtete të cilat i njohim si mike, në momente kur jemi në vështirësi vendosin barriera dhe embargo. Për këtë arsye duhet të prodhojmë të gjitha teknologjitë kritike dhe duke dalë të suksesshëm synojmë të bëhemi një nga pak vende që i kanë ato. Këtë do ta bëni ju të cilët jeni arsimuar për këtë gjë. Ndërsa ne do të ju hapim të gjitha portat e nevojshme për këtë. Nëse ne arrijmë të prodhojmë një sistem të fuqishëm mbrojtjeje atëherë asnjë shtet nuk mund të na shohë shtrembër”, është shprehur Işık në vijim të fjalës së tij.
Duke theksuar se testet e Hisar-it ishin 100 për qind të suksesshme, ministri Işık më pas ka thënë se synimi i tyre është të rrisin efikasitetin dhe fuqinë e ushtrisë turke dhe se kjo kalon përmes prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore./AA