1.6 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Amnistimi i uzurpimit të Kosovës nga ndërtimet ilegale

Më të lexuarat

Mijëra biznese kanë ndërtuar objekte ilegale në toka shtetërore ose kanë uzurpuar pronat e kompanive publike që nga lufta e Kosovës, por ekspertët argumentojnë që legjislacioni i ri që po mundohet të luftojë problemin nuk duhet t’i amnistojë keqbërësit.

“Lesna SHPK” ka një pozitë komercialisht tërheqëse në një rrugëkalim që kalon mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës, në një nga rrugët më të frekuentuara në Kosovë.

Kjo kompani private paguan vetëm 480 euro në muaj qira për 1 hektar e 27 ari. Kjo pjesë është lëshuar me qira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit si ‘tokë bujqësore’ edhe pse në 17 vitet e fundit, Lesna SHPK ka prodhuar dyer dhe dritare në këtë hapësirë.

Lesna ka ndërtuar disa ndërtesa në të ashtuquajturën tokë bujqësore, që përdoren si mini-fabrika për prodhimin e dritareve; në uebfaqen e tyre, kompania mburret që është “fabrika më e madhe e prodhimit të dyerve dhe dritareve në rajon”.

Pronari i Lesna-s, Bekim Deshishku, vëllai i Hashim Deshishkut, ish-deputet me partinë qeverisëse LDK, refuzoi të komentojë për këtë anomali.

Por Lesna nuk është e vetmja kompani që ka ndërtuar objekte komerciale private në tokat që janë të listuara zyrtarisht si prona të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Në të njëjtën rrugë, sipas një raporti të AKP-së për dhënien e pronave me qira, disa kompani të tjera kanë marrë tokë me qira nga AKP-ja më pak se çmimi i tregut në këtë zonë industriale për përdorim për bizneset e tyre.

N.T. Bercom, për shembull, paguan një qira mujore prej 328 eurosh për 19 ari tokë bujqësore, ndërkohë që kompania Moderne SHPK paguan 120 euro për 10 ari dhe N.P. Metal paguan 305 euro për një hektar.

Sipas Komunës së Prishtinës, ndërtimi në toka shoqërore është i paligjshëm, sepse kushti i parë për marrjen e një leje ndërtimi është pronësia.

Sipas legjislacionit të tanishëm, të gjitha ndërtesat e këtyre kompanive duhet rrënuar.

“Nëse nuk ndryshohet ligji, ndërtimet e tilla, në truall të ndërmarrjeve publike e shoqërore, me siguri, do të rrënohen,” tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës për BIRN.

Në 17 vitet e fundit që nga përfundimi i luftës në Kosovë, shumë biznese të suksesshme janë zhvilluar si rezultat i uzurpimeve ilegale të ndërtesave publike dhe tokave bujqësore.

Por siç tregoi Vraniqi, ligji mund të ndryshohet së shpejti për t’i lejuar pronarët e kompanive t’i legalizojnë këto ndërtime ilegale që i kanë ndërtuar në toka publike dhe kanë përfituar nga to gjatë këtyre viteve.

Deri tani, shteti ka lejuar njerëzit që kanë uzurpuar ndërtesa dhe toka publike të mos mbahen përgjegjës.

Autoritetet zyrtarisht përgjegjëse për të parandaluar këtë – fillimisht UNMIK-u, e më vonë edhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe pasuesja e saj, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) – i kanë toleruar këto aktivitete të kundërligjshme, dhe nuk kanë marrë masa për t’i dënuar këto ndërtime të kundërligjshme nëpër pronat në fjalë. Institucionet përgjegjëse, duke përfshirë komunat, nuk kanë ndërmarrë asgjë për parandalimin apo trajtimin e këtyre ndërtimeve. Për më tepër, AKP-ja përmes kontratave të qirasë i ka legalizuar edhe ata që kanë ndërtuar objekte e kanë ngritur biznese nëpër tokat e ndërmarrjeve shoqërore.

Foto: Atdhe Mulla

Gazetari i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, që e ka ndjekur procesin e privatizimit që nga lufta, tha që AKM dhe AKP janë përgjegjëse që kanë lejuar situatën të vazhdojë.

“Nëse ata nuk veprojnë në këtë drejtim, institucionet tjera si gjyqësori ose policia nuk mund të veprojnë. Ata nuk munden me bo diçka,” tha Rexhepi.

Deri në fund të 2015, AKP ka nënshkruar një total prej 460 kontratash me njerëz që kanë uzurpuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore, duke i bërë ata qiraxhi, si dhe duke dhënë me qira toka bujqësore publike në të cilat bizneset kanë ndërtuar ilegalisht.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se, deri më tani, janë identifikuar 2 mijë e 500 ndërtime jo-ligjore nëpër tokat e ndërmarrjeve shoqërore.

“Shumica e këtyre rasteve të objekteve joligjore i referohen Rajonit të Prishtinës dhe të Prizrenit”, tha zëdhënësi i AKP-së Veton Hajdini.

Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa leje thotë se ndërtimet e bëra në pronën publike duhet të rrënohen.

Por qeveria tani është në proces të shkrimit të një ligji të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, që t’u mundësojë të gjithë uzurpatorëve të pronave shoqërore të legalizojnë ndërtimet e tyre ilegale.

Ligji i ri do të përfshijë “dispozita që rregullojnë rastet kur një ndërtim pa leje është ndërtuar në tokën publike, parqet kombëtare apo zona tjera të veçanta”, sipas një drafti të legjislacionit, që është publikuar në uebfaqen e kryeministrisë.

Kjo thotë që autoritetet mund të “autorizojnë përdorimin e tokave të caktuara për të shmangur rrënimet automatike”, që nënkupton që pronarët e ndërtimeve ilegale mund të marrin leje dhe ndërtesat e tyre të bizneseve të mos shkatërrohen.

Pasi u përpilua drafti, kryetari i bordit të AKP-së Petrit Gashi, u takua me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe – për herë të parë që kur Kosova ka deklaruar pavarësinë – ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e zyrtarëve për trajtimin e ndërtimeve ilegale nëpër pronat shoqërore.

AKP-ja e ka miratuar kornizën legjislative, por nuk e ka publikuar dokumentin në uebfaqen e saj, dhe nuk ka ofruar një kopje për BIRN kur është bërë kërkesa në qasje.

AKP-ja gjithashtu ka themeluar edhe një komision për shqyrtimin e ndërtimeve jo ligjore në pronat e ndërmarrjeve shoqërore; ekzistenca e saj përmendet në uebfaqen e AKP-së, por nuk ka asnjë të dhënë për përbërjen dhe aktivitetet e saj.

Sipas Hajdinit, komisioni do të shqyrtojë rastet që konsiderohet si pengesë për privatizim efektiv, dhe ka kompetenca të rekomandojë që personat që kanë bërë ndërtime joligjore të jenë blerës të privilegjuar të atyre parcelave ku ata kanë ndërtuar.

Shitja e këtyre tokave mund të bëhet pa tender dhe pa krahasuar çmimin e shitjes me çmimet e tregut – edhe pse Hajdini insistoi që kjo nuk nënkupton që parcelat do të shiten lirë te njerëzit që kanë ndërtuar ilegalisht në to.

Foto: Atdhe Mulla

“Vlera e asetit caktohet nga vlerësuesit e pavarur dhe të licencuar të patundshmërive të cilët në ekspertizë e ofrojnë çmimin potencial i cili parashihet sipas vlerës qarkulluese të asetit”, tha ai.

Gjithsesi ai e pranoi që AKP-ja është e vetëdijshme se nuk do të mund t’i rrënojë këto objekte ku janë ndërtuar ekonomi familjare, sepse do të nxiste rezistencë nga organet komunale, ato të rendit apo pronarët e bizneseve.

“Prandaj fakti i vetëm se ekziston një objekt banimi i ndërtuar në token e ndonjë ndërmarrje shoqërore nuk e nënkupton automatikisht të drejtën për rrënim”, shpjegoi ai.

Ai thotë që nën ligjin ekzistues, një ndërtesë mund të rrënohet vetëm nëse për këtë çështje ka një analizë paraprake të situatës dhe një vendim të organit kompetent të administratës shtetërore, apo në raste të caktuara edhe aktgjykimin e gjykatës kompetente.

Gjithashtu, Hajdini tha që njerëzit mund të blejnë prona nën procedura të vendosura nga ligji ekzistues për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore.

“Personi i cili me mirëbesim e ka njëzetë (20) vjet në posedim të pandërprerë një paluajtshmëri ose një pjesë të saj, e fiton pronësinë në të”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 40.

Por është ende e paqartë nëse AKP do të lejojë uzurpatorët e pronave shoqërore dhe ata që i kanë pasur me qira, të shfrytëzojnë këtë nen për blerjen e pronave pa lejuar blerës tjerë potencialë për të bërë oferta në një tender konkurrues.

Shteti po kërkon një mënyrë për të rregulluar të gjitha ndërtimet ilegale që janë bërë në Kosovë në 17 vitet e pasluftës, në një mënyrë që ekonomia e vendit përfiton në mënyrë afatgjatë dhe shkakton më së paku përçarje në bizneset ekzistuese.

Valdet Osmani, ish kreu i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, i tha BIRN se ai beson që ndryshimi i ligjit që njerëzit të regjistrojnë ligjërisht ndërtimet pa leje – duke përfshirë ato që janë ndërtuar në prona shoqërore – do ketë ndikim pozitiv.

Osmani argumenton që personat që i kanë uzurpuar pronat shoqërore duhet të paguajnë 30 për qind më shumë se sa vlera e tregut të asaj prone.

Ai gjithashtu tha që planet rregulluese dhe planifikuese kanë “shkatërruar/degraduar qytetet, por edhe kanë stimuluar ndërtimet pa leje,” ndaj duhet të riorganizohen.

“Do të duhet një hetim i gjerë dhe profesional rreth planeve urbane, zhvillimore dhe rregulluese,” tha ai.

Gazetari i ekonomisë Rexhepi insistoi që tolerimi ose miratimi i uzurpimit të pronave dhe ndërtimi ilegal në prona shoqërore ka dëshmuar mosfunksionimin e shtetit dhe që sundimi i ligjit nuk mund të zbatohet.

Rexhepi pretendon që kjo gjithashtu ka dëmtuar procesin e privatizimit, sepse ka pasur shumë raste kur investitorëve nuk u është lejuar qasja në pronën të cilën e kanë blerë nga AKP-ja sepse e njëjta ka qenë e uzurpuar nga dikush tjetër.

“Do të bëhet një gabim i madh nëse ata amnistojnë uzurpimet dhe nëse i legalizojnë objektet e ndërtuara në pronën shoqërore,” argumenton ai.

“Do të thotë ‘uzurpo, e pastaj shteti ta fal’,” tha ai./kallxo.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit