Shteti federal amerikan Wisconsin do të rinumërojë miliona vota të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, pasi ish-kandidatja presidenciale e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, ka parashtruar një kërkesë në momentet e fundit…
Shteti federal amerikan Wisconsin do të rinumërojë miliona vota të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, pasi ish-kandidatja presidenciale e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, ka parashtruar një kërkesë në momentet e fundit, ku përmend shqetësime për parregullsi.
Peticioni i ditëve të fundit është i pari nga tre të premtuar prej Jill Stein për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve. Dy peticionet e tjera janë në Pensilvani dhe Michigan.
Stein kërkon rinumërimin e votave me arsyetimin se gjatë zgjedhjeve ka pasur sulme kibernetike.
Numërimi do të fillojë javën e ardhshme, ndërkohë që Partia e Gjelbër ka siguruar miliona dollarë donacione për të ndihmuar procesin.
Republikani Donald Trump, fitues i zgjedhjeve në Wisconsin, kishte siguruar 1 milion e 404 mijë vota, i ndjekur nga demokratja Hillary Clinton me 1 milion e 381 mijë 823 vota. Kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, kishte arritur të merrte vetëm 31 mijë e 6 vota, ndërsa kandidati i Partisë së Inovacionit, Rocky Reque De La Fuente, kishte siguruar 1 mijë e 514 vota.