-3.1 C
Pristina
Thursday, January 16, 2025

Siri – Banorët e Halepit bëjnë thirrje për hapjen e një korridori humanitar

Më të lexuarat

Banorët e Halepit i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për hapjen e një korridori ndihmash humanitare dhe, nëse kjo është e pamundur, për dërgimin e ndihmave humanitare nga ajri…

 

Në luftë për mbijetesë si pasojë e rrethimit dhe e bombardimeve të regjimit që prej 3 muajsh në Siri, banorët e Halepit i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për hapjen e një korridori ndihmash humanitare dhe, nëse kjo është e pamundur, për dërgimin e ndihmave humanitare nga ajri.

Përmes një komunikate të përbashkët ditën e mërkurë, Drejtoria e Shëndetësisë, ajo e Arsimit dhe Drejtoria e Mbrojtjes Civile të Halepit, si dhe një numër i madh aktivistësh, tërhoqën vëmendjen mbi përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës humanitare në qytet duke theksuar se 271.526 persona janë nën rrethim.

Në deklaratën e emërtuar “Piskamë për Ndihmë” vihet në pah se në Halep, qytet i rrethuar prej tashmë 91 ditësh, vetëm në 23 ditët e fundit janë kryer mbi 2.300 bombardime duke përfshirë sulmet ajrore me bomba fuçi, bomba thërrmuese dhe me gaz klorin.

Që nga java e kaluar e këtej, në sulmet ajrore janë bombarduar 8 spitale dhe qendra shëndetësore, 6 shkolla, 2 furra buke dhe 2 qendra të mbrojtjes civile.

Komunikata e përbashkët nënvizon ndër të tjera se në Halep nuk ka asnjë shërbim shëndetësor dhe vijon me këto fjalë: “Që nga fillimi i luftës kanë kaluar 6 vite dhe jemi kureshtarë se çfarë bën bota. Në luftë kanë humbur jetën më shumë se 500.000 persona. Edhe sa spitale e shkolla të tjera duhet të bombardohen ende për të vërejtur krimet e luftës në Siri? Nuk mund të ketë një situatë më të tmerrshme se kjo. Ndodhemi në vitin 2016 dhe në një qytet mbahen të rrethuar 271.536 persona. Së shpejti, për shkak të bombardimeve, do të përballemi me vdekjet nga uria. Bota është përgjegjëse për 500.000 vdekjet dhe 271.536 personat e rrethuar. Na shuani kureshtjen: Përse ekzistojnë Kombet e Bashkuara dhe ligjet për të drejtat e njeriut?”

Në vijim të “Piskamës për Ndihma” zë vend edhe një thirrje drejtuar shoqërisë ndërkombëtare.

“Keni ende diçka për të bërë. Kërkojmë nga ju që të ndaloni vrasjen tonë nga forcat ajrore të Esadit ose të paktën të ushtroni presion diplomatik ndaj regjimit të Sirisë dhe të Rusisë që të ndalin bombardimet ndaj Halepit. Kërkojmë qasje të lirë për nevojat themelore dhe shërbimet bazë, siç janë karburanti, materialet shëndetësore, depot e ujit, energjia elektrike, spitalet, shkollat dhe mbrojtja civile. Kërkojmë hapjen e një korridori humanitar të çarmatosur”, thuhet në këtë apel.

Në fund të komunikatës së përbashkët nënvizohet se shoqëria civile e Halepit është e hapur për ndihma humanitare nga ajri dhe se në Siri, jo shumë larg Halepit, ka avionë luftarakë të koalicionit ndërkombëtar nën drejtimin e SHBA-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit