0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

LE TË NJIHET KONTRIBUTI I ELITËS MYSLIMANE SHQIPTARE

Më të lexuarat

Që në fillim dua të theksoj se ky shkrim nuk ka karakter hulumtues, dhe, jo domosdoshmërisht, ka të bëjë drejtpërdrejt vetëm me ata që u angazhuan për çështjen kombëtare.
Kjo nuk mëton të minimizojë kontributin e atdhetarëve tanë në rrafshin kombëtar, e aq më pak të nënvlerësojë atë, ngase siç e dini, kauzës kombëtare i kanë shërbyer edhe shumë prijës fetarë myslimanë, si: Hoxha Tahsini, Muhamet Çami, Myderriz Imer Prizreni, Hafiz Ali Ulqinaku, Haxhi Ali Elbasani, Hafiz Ali Korça, Haxhi Mulla Zeka, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Adem Boriqi, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Hasan Masurica, Haxhi Ismet Dibra, Mulla Isuf Kraja, Mulla Said Bajdeni, i njohur si Hoxhë Voka, Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Sinan Duga, Mulla Emin Miftari, Mulla Musë Dërguti, Tahir Efendi Lluka, Mulla Haki Sharofi, Mulla Hasan Nahi, Mulla Vesel Guta, Mulla Sadri Prestreshi e shumë e shumë të tjerë.
Madje këtë kontribut e nënvizon në formë poezie edhe Gj. Fishta në Lahutën e Malcisë, ku për një hafiz mysliman thurë këto vargje:
“Shtrine te ngratin hafiz Myslimin, dhe ne dru e rrahen trimin
Sado qe ishte nje “ hafiz”“Jam shqiptar me gjuhe e fis”
Jam Shqiptar pergjigjet Hafizi deri qe ashti i kambes i krisi”.
Ajo, që ne duam të prezantojmë tash këtu, në kohën kur për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po bëhen studime të shumta për të zbardhur kontribute të personaliteteve shqiptare në fusha të ndryshme, andaj, duke qenë se ne jemi përfaqësuar në botë, sidomos në Lindje, nga personalitetet, emrat e të cilëve figurojnë ndër më të mëdhenjtë në fushën fetare, këtë shkrim e rezervuam për të qenë ekskluziv vetëm për ta.
Motiv për këtë shkrim kam një veprim të mençur të ndërmarrë nga KK-Pejë, i cili një nga rrugët e këtij qyteti e ka emërtuar me emrin e dijetarit të madh, kolosit të shkencave islame, eruditit Abdu-l-Kadir Arnautit. Konsideroj se, edhe pse një gjest simbolik, sidomos për kohën dhe rrethanat tona, është shumë domethënës. Ndaj, në vijim do të paraqes emra, nga ata me të cilët do të duhej të mburreshim si komb.
Ndër të parët dhe më të rëndësishmit është Shejh Nasirudin Albani, i lindur në Shkodër më 1914 dhe i shpërngulur më pas, në kohën e mbretit Ahmet Zogu, në Damask të Sirisë. Nasirudini shumë shpejt do të bëhet i njohur në Siri, për të lëvizur më pas në Medinën e Ndritur si mësimdhënës, e pastaj për të kaluar përfundimisht në Jordani, atje ku edhe do ta zinte vdekja. Nasirudini ose Shejh Albani, siç njihet, ishte dijetari më i famshëm në botë i shekullit XX-të, në veçanti në shkencën e hadithit. La pas vete me qindra libra, shumica e të cilave janë të botuara dhe të shpërndara gjithandej nëpër botë. Sot nuk ka studiues të shkencave fetare anekënd botës e që nuk ka dëgjuar për dijetarin e madh shqiptar dhe që nuk punon me dijen e tij të lënë pas vete. Krejt Bota Islame krenohet me hoxhën tonë, ndërsa ne shqiptarët as që e njohim bile. Ata na e kanë lakminë që ka qenë bir i yni, ndërsa ne shumë pak flasim për të. Shejh Albanin kam pasur fat ta takoj personalisht më shumë se një herë dhe të bisedojmë me të për Islamin në Kosovë dhe për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në Ballkan.

dokumenti
Hiq më pak se Albani nuk është edhe shkodrani tjetër, Shejh Shuajb Arnauti, i lindur në Damask të Sirisë me 1928, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Shkodra vetëm dy vjet para se të lindte ai, pra më 1926. Edhe ky që nga fëmijëria filloi të merret me shkenca islame dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të punojë me orë të tëra, ani pse gati i ka mbushur të nëntëdhjetat. Jeton dhe vepron në Aman të Jordanisë, ndërsa është autor i shumë librave me vlerë. Edhe ky, po ashtu si Albani, është shumë i njohur në tërë Botën Islame. Ka vizituar tokat shqiptare disa herë radhazi dhe vazhdon edhe sot të përkujdeset për shqiptarët që jetojnë në Jordani, në veçanti për studentët, të cilët studiojnë atje.
Bashkë me këta kolosë është edhe një kolos tjetër shqiptar shumë i famshëm, një shkodran tjetër i quajtur me emrin Vehbi Sulejman Gavoçi, i cili po ashtu pati fatin sikurse shokët e tij, i lindur në Shkodër më 1923 e më pas i shpërngulur në Damask me familje, ku vazhdoi të mësojë e të punojë në Damask për një kohë të gjatë. Më pas kaloi si profesor në Medinën e Ndriçuar, pastaj në Rijad, më pas në Aman të Jordanisë, pastaj në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe së fundi në Damask, ku vazhdon të punojë edhe më tej. Është shumë i njohur në shkencën e Fikhut – Jurisprudencës Islame. Ka shumë libra e punime shkencore.
Me të gjithë këta kolosë kam pasur rastin të rri dhe të marrë dije nga ta. Lum toka shqiptare që i ka lindur këta bijë, lum populli që i ka! Andaj mendoj se duhet që sikurse këta kolosë t’ia paraqesim popullit tonë, në veçanti nxënësve dhe studentëve tanë, sepse këta na e kanë ngritur kokën lartë dhe kombin tonë e kanë bërë të njohur në të katër anët e botës. Allahu i pastë mëshiruar ata, ndërsa neve na bëftë ta ndjekim rrugën e tyre. Dhe së fundi falënderoi KK-në e Pejës për hapin e ndërmarrë me shpresën se shembullin e tyre do ta ndjekin edhe të tjerët.
Mirë u takofshim në javën e ardhme. Deri atëherë, selam alejkum!

Dr. Shefqet Krasniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit