Ish-funksionari i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, u është përgjigjur akuzave të deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët e krahasuan politikën e ish-komunistit me veprimet e Kryeministrit Hashim Thaci.
Vllasi ka thënë se nëse Thaçi po vepron sikur ai, atëherë Kryeministri i Kosovës e paska mësuar politikën.
Por, Glauk Konjufca, derisa ka folur në Kuvendin e Kosovës për takimin me Ivica Dacicin, ka thënë se Kryeministri i Kosovës po e emiton politikën e Azem Vllasit.
Sipas Konjufcës, Vllasi në kohën kur është dashur ta mbrojë Republikën, nuk e ka mbrojtur as autonominë, ndërsa Thaçi kur po duhet ta mbrojë Republikën, nuk po e mbron as Pakon e Ahtisaarit.
Me gjuhë të njëjtë është përgjigjur edhe Vllasi këtyre krahasimeve. Ai ka thënë për “Express” se partia e Albin Kurtit nuk di çka janë konceptet politike dhe shtetërore.
“Vetëvendosje nuk e di as çka është Republika, as autonomia. Ata si ekstremista i kanë do pikëpamje dhe kanë marrë qëndrim vetëm me i sulmu kondo që është në pushtet aktualisht. Kështu që deklaratave të tyre nuk ua vnoj veshin dhe s’ më interesojnë për asnjë gram”, ka shtuar ai.
Ky ish-funksionar i Lidhjes Komuniste ka ironizuar me krahasimet e Vetëvendosjes.
“Nëse është bërë Thaçi si unë, atëherë nuk është keq se e paska mësua politikën. E këta të Vetëvendosjes nuk mësojnë politikën as dej në zog të këmbës nuk më bien mua. Si të bëhet Thaçi si unë, as atij nuk i vijnë deri në zog të këmbës”, ka thënë Vllasi.kohaislame