2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Jahjaga: Rezultati i dialogut, normalizimi i marrëdhënieve

Më të lexuarat

Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy shteteve si shtete të pavarura dhe sovrane, me respektimi të integritetit territorial të tyre.

Dialogu është rruga e vetme në këtë drejtim dhe nuk ka alternativë tjetër. Rruga e imponimit të koncepteve përmes dhunës tashmë ka përfunduar. Kështu deklaroi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në hapjen e punimeve të konferencës ndërkombëtare “Germia Hill” e organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, raporton Kosovapress.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ripërsëritur se dialogu që tashmë ka nisur në mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve, do të përfundojë me arritjen e qëllimit për çka edhe ka filluar dialogu në fjalë.

Sipas saj, nuk ka rrugë tjetër për të arritur deri të ky qëllim, duke shtuar se ka përfunduar koha e imponimit të koncepteve përmes dhunës.

“Republika e Kosovës tashmë ka nisur një proces dialogu me Republikën e Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona të pavarura e sovrane, me respektim të integritetit territorial dhe parimit të mosndryshimit të kufijve, dhe duke sanuar pasojat e luftës. Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialogun si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve. Kjo rrugë nuk ka alternativë. Ne besojmë që koha e hegjemonizmit dhe e imponimit të koncepteve politike nëpërmjet dhunës tashmë përgjithmonë ka përfunduar. Vetëm duke qenë të lirë dhe të barabartë mund të ecim bashkërisht përpara”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se popujt dhe vendet e rajonit sot e kanë rastin e papërsëritshëm që t’i normalizojmë të gjitha marrëdhëniet për një fqinjësi te mirë dhe që të punojmë së bashku në rrugën e integrimeve evropiane, duke pasur kufij të hapur, duke zhvilluar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat dhe duke siguruar një qarkullim të lirë e të papenguar, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve.

Sipas presidentes Jahjaga, është pikërisht kjo qasje që spektri politik dhe institucionet e Republikës së Kosovës e kanë adoptuar, pasi që, siç u shpreh ajo, beson fuqimisht në të qenit pjesë e këtij procesi integrues dhe kësaj epoke partneriteti që do të ndihmojë mirëqenien e qytetarëve dhe do të garantojë një të ardhme paqësore për gjeneratat e ardhshme.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se takimi i mbrëmshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, shënon jo vetëm një simbolikë, por edhe pjesën përmbajtjesore të dialogut.

“Pikërisht në ditën e sotme mbahet kjo konferencë kur mbrëmë vonë kryeministri i Republikës së Kosovës Thaçi ka takuar për herë të dytë kryeministrin e Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq në një takim bilateral me të cilin shënon, jo vetëm pjesa simbolike, por edhe pjesa përmbajtjesore e normalizimit të relacioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Normalizimi i këtyre marrëdhënieve për Kosovën është kriter i brendshëm demokratik. Ne jemi shtet dhe shoqëri demokratike dhe besojmë se dialogu dhe kooperimi dhe jodhuna dhe konfrontimi duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet bilaterale”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se procesi i dialogut në mes këtyre dy shteteve do të mundësojë adresimin e të gjitha çështjeve të hapura në mes të të dy shteteve.

Hoxhaj ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë synon ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë një konflikt 100-vjeçar që i ka përcjellë këto dy vende dhe me të cilin proces Kosova synon ta shënojë një paqe afatgjate në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa sa i përket temave që kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se ato janë çështje të mbyllura dhe nuk do të diskutohen në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Tema të tilla, si pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial apo edhe rregullimi i brendshëm i Kosovës janë tema të mbyllura. Normalizimi nënkupton largimin e strukturave ilegale të policisë dhe të sigurisë në veri të Kosovës deri te njohja e ndërsjellë e të dyja vendeve që do të ishte normalizimi i plotë i këtyre relacioneve”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se bota demokratike duhet edhe më tej ta ketë vëmendjen në Ballkan, siç është përfundimi i reformës kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë, zgjidhja e kontestit për emrin kushtetues në mes të Maqedonisë dhe Greqisë si dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, këto janë edhe tri sfidat për institucionet euroatlantike.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit