0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

KUNDËRSHTOJNË MODELIN E DY GJERMANIVE

Më të lexuarat

Ideja e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj se modeli i dy gjermanive mund të përdoret për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kundërshtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për modele të tilla, ndërkohë edhe bashkëpartiakët e Hoxhajt nuk e kanë përkrahur një model të tillë.

Drejtues të LDK-së, gjithashtu kanë deklaruar se nuk do të jetë pjesë e delegacionit në bisedime.

Ministri, Enver Hoxhaj në një intervistë për mediat vendore ka thënë se modeli i dy gjermanive është një ide interesante për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Gjithashtu, ai ka konstatuar se hapja e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe ajo e Serbisë në Prishtinë, është në funksion të këtij modeli.

Pas mbledhjes së kryesisë të mbajtur ditën e hënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për asnjë lloj të modeli, pasi që ka kushtetutën e vet dhe ligjet e veta.

“Është mirë me pyet zotërin Hoxha për modele të tilla edhe njëherë me i thënë se çka ka deshtë me thënë me këtë. Ne e kemi kushtetutën që ka buruar nga pakoja e presidentit Ahtisari. Kosova e ka rregullimin e brendshëm e saj kushtetues dhe nuk shohim arsye të zbulojmë modele, sepse del dikush na tregon edhe për ndonjë model tjetër. Ne do të bëjmë përpjekje që shteti i ynë të jetë funksional, të ketë funksionalitet në gjithë territorin e Kosovës, kjo është e mundshme edhe me zgjidhjen aktuale në kuadër të kushtetutës së Kosovës dhe Kosovës nuk i duhet edhe një bosnjëzim apo siç e ka thënë zotëri Hoxhaj”, ka theksuar Beqiri.

Ndërkohë edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, duke mos përkrahur këtë model,ka thënë se Kosova e ka kushtetutën dhe ligjet e veta.

“PDK-ja ka dhënë vlerësimin e vet shumë të qartë, ne kemi ligjet e Kosovës, kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, kemi rezulutat e Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë përcaktuar qartë minimumin dhe maksimumin, apo thënë ndryshe vijat e kuqe, çka nuk mund të debatohet. Ne kemi rezolutën e fundit të parlamentit të Kosovës me nismën e PDK-së për relaksim të raporteve të Kosovës dhe të Serbisë”, ka theksuar Grabovci.

Ndërkaq Beqiri i pyetur se a do të jetë LDK pjesë e trupave koordinuese mes Prishtinës dhe Beogradit, ai ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se është kryeministri ai që do të kryej këtë punë.

“Ne e kemi thënë, ju e dini, edhe në rezolutë thuhet shumë qartë kuvendi përpos si kuvend ka edhe komisione. Ne mund të japim kontributin tonë në komisione për kuvend, por jo delegacione se asnjë arsye s’ka. Zotëri Thaçi e ka mandatin e këtij kuvendi dhe ai mund të kryej punën e vet dhe nuk ka arsye që të ketë përfaqësues të LDK-së, dhe nuk do të ketë përfaqësues të LDK-së në delegacione, edhe nuk ka nevojë edhe nuk e shohim të arsyeshme”, ka deklaruar Beqiri.

Për më tepër ai ka shtuar se nuk ka nevojë të ketë trupe koordinuese, duke rikujtuar se nuk është koha e Rambujesë e as koha e Vjenës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit