1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Padi për Bajram Rexhepin

Më të lexuarat

Sot, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dorëzuan padi penale në Prokurorinë komunale të Prishtinës në Prishtinë, kundër Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kundër Ilir Qapallekut – truprojë e Kryeministrit, kundër truprojave tjerë të kabinetit qeveritar, policëve të njësisë speciale dhe kundër eprorit të njësisë speciale – përgjegjës për njësinë speciale që ka intervenuar gjatë protestës së 17 tetorit.

Kjo padi ka të bëjë me faktin se deputetët e VV-së – Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Albana Gashi, Afrim Hoti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca – janë ndaluar për të hyrë në hapësirat e kompleksit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Fillimisht, deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë mundur të hyjnë në Kuvend, pasi që dyert ishin të mbyllura dhe zyrtari policor tek dyert e Kuvendit iu ka thënë: ‘Shkoni nga hyrja tjetër’. Më pas, deputetët janë nisur në drejtim të hyrjes e cila është e dedikuar për veturat zyrtare të Kuvendit të Kosovës, kështu që duke hyrë brenda objektit të Kuvendit kanë dalë në oborrin e Kuvendit, ku është një hapësirë e përbashkët pa ndarje fizike me objektin e Qeverisë. Deputetët e Vetëvendosjes janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë, duke pasur qëllim të jenë prezent në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës së Privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. Grupi i deputetëve, me të afruar pranë hyrjes së objektit të Qeverisë, janë ndaluar nga truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, që janë të angazhuar për sigurimin fizik të institucioneve publike. Deputetët, pasi kanë prezantuar kartelat e deputetëve me qëllim për të hyrë në objektin e qeverisë dhe shpjegimit të së drejtës së tyre ligjore për të pasur qasje në institucionet publike, truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë lejuar hyrjen e deputetëve. Deputetët e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë respektuar të gjithë procedurën për identifikim dhe janë thirrur në të drejtën për qasje në hapësirat e institucioneve publike, janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga sigurimi personal i anëtarëve të kabinetit të qeverisë dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës”, u tha në një konferencë për shtyp të VV-së.

Sipas tyre, në pajtim me Nenin 11, Paragrafi 1, të Ligjit për drejtat dhe përgjegjësit e deputetëve, në këtë dispozitë u garantohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që, Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet e shtetërore dhe të administratës publike.

“Sipas kësaj dispozite, në momentin që personi zyrtar i institucionit publik legjitimon deputetin përmes kartelës së identitetit, atij i garantohet hyrja e lirë në të gjitha organet shtetërore, përfshirë dhe objektin e qeverisë. Deputetët, afërsisht për 35 minuta, prej orës 10:05 deri 10:40, janë munduar që të sqarojnë të drejtën e tyre për qasje në institucione publike. Zyrtarët policor dhe sigurimi personal i kabinetit qeveritar kanë refuzuar lejimin në objektin e qeverisë. Në momentin kritik, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka dalë pranë dyerve të hyrjes së qeverisë duke iu drejtuar zyrtarëve policor dhe truprojave me këto fjalë: ‘Me i largu menjëherë, për një minutë’! Zyrtarët policorë dhe truprojat menjëherë pas këtyre fjalëve kanë filluar që me forcë të largojnë deputetët që gjendeshin ne shkallët e objektit qeveritar”, u tha ndër të tjera në konferencë.

Të bëmat, shkeljet e rënda ligjore të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mbarojnë me këto që përshkruhen në padinë e sotme.

“Kemi dëgjuar së fundi Ministrin Bajram Rexhepi duke paragjykuar qëllimet e aksioneve tona protestuese. Pra, ai ndër të tjera ka thënë që urdhrat janë të tillë pasi që ‘informatat tona i bazojmë te Njësia e inteligjencës’. Janë dy momente kur ai ka përmendur Njësitin e Inteligjencës brenda policisë së Kosovës. E para ka ndodhur në 18 tetor 2012, Ditën e rrethimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga policia me urdhër të Bajram Rexhepit. Kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën deri në tërheqjen e policisë. Dhe, kur u pyet Bajram Rexhepi në lidhje me këtë, tha: ‘Kemi pas informata nga Njësia e Inteligjencës brenda policisë se Vetëvendosje do të ndërmarrë veprime që do të pengojnë votimin e rezolutës’. Dhe i dyti deklarim i Ministrit Rexhepi është në aksionin tonë protestues kundër takimit Thaçi-Daçiç të datës 22 tetor 2012. Ministri për këtë tha: ‘I kemi ne disa informata të inteligjencës dhe e kemi ditë që ata do t’i sulmojnë institucionet e Republikës së Kosovës’. Nga informata e parë Bajram Rexhepi organizoi agresion Kuvendit, dhe nga e dyta shkaktoi gati gjenocid urban në rrugët e Prishtinës. Ndërkohë, këto deklarata nënkuptojnë që Ministri Rexhepi po urdhëron që të mbikëqyrë, monitorojë, e përgjojë Lëvizjen Vetëvendosje! Njësia e inteligjencës për të cilat flet ministri janë të parashikuara në strukturën e policisë në drejtorinë e analizës së krimit, në departamentin e hetimit të krimit”.

VV deklaron se ssnjë ligj nuk ja lejon policisë së Kosovës e për më tepër Ministrin e Punëve të Brendshme që të mbledhë dhe përpunojë informata për Vetëvendosjen.

“Kushdo që e ka bërë këtë duke shkelur edhe ligjin për policinë edhe atë për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, por edhe kundër secilit ligj respektiv të nxjerrë nga Kuvendi, e ka bërë me qëllimin e vetëm për të pasur nën përgjim e nën mbikëqyrje Lëvizjen Vetëvendosje”!

VV thekson se janë të vetëdijshëm që brenda policisë së Kosovës ekziston drejtoria e analizës së krimit, në departamentin e hetimit të krimit, mirëpo “ai departament merret me krimin, me ata të cilët janë në hetim për vepër penale dhe jo me përgjimin e një organizate politike”.

“Siç e dini, hetimet për çfarëdo dyshimi për vepër penale është individuale e jo kolektiv. Për më tepër, Ligji për Policinë e Kosovës, në Nenin 3, Paragrafi 5 thotë: ‘Policia nuk duhet të mbledh dhe të ruaj informata dhe të dhëna personale për personat me qëllim të mirëmbajtjes së regjistrave që kanë të bëjnë me bindjet apo anëtarësimet politike, religjioze apo filozofike’. Ne edhe tani jemi duke u vëzhguar; veturat me policë civilë qëndrojnë të parkuar afër zyrave tona duke përcjellë çdo lëvizje të çdo aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe personat që takohen me ne. Ministri Rexhepi duhet ta dijë që vetëm organet e drejtësisë kanë të drejtë të japin urdhër për përgjimin e një personi dhe atë kur ekziston dyshimi i bazuar që ai person ka kryer krim, vepër penale”.

Vetëvendosje shprehet se Rexhepi është fytyra e shpërfytyruar e shtetit të së drejtës.

“Ai po keqpërdor maksimalisht instrumentet shtetëror të ngritur për mbrojtjen e qytetarëve kundër tyre. Ai dhe shefi i tij Hashim Thaçi po përpiqen të na heshtin e kërcënojnë me rrethime policore. Por, protestën e mospajtimin qoftë për privatizimin e dëmshëm apo për bisedimet politike me Serbinë nuk ka polici që i ndal dot. Ata nuk mund të na arrestojnë apo përgjojnë, të gjithëve. Për me tepër një shoqëri qoftë dhe një si kjo e jona ka më shumë Protestues sesa përgjues”.

Në fund të konferencës, VV i bënë thirrje oficerëve të policisë dhe çdo polici në detyrë, që të zbatojë ligjin duke e mbrojtur të drejtën.

“Urdhrat e Bajram Rexhepi nuk janë as e drejta e as ligji. Bajram Rexhepi duhet ta ketë parasysh që nuk do të jetë përjetë Ministër i Brendshëm. Ndërkohë, Vetëvendosje do të organizojë aksione e protesta të tjera kundër bisedimeve me Serbinë dhe kundër privatizimit”.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit