3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kryeministri prezanton mundësitë për investime të huaja në Kosovë

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve në Londër, ka vlerësuar se prioritet gjatë qeverisjes së tij, i është dhënë rritjes ekonomike dhe punësimit, përcjell Zëri

Gjatë këtij takimi, ai ka prezantuar mundësitë e ndryshme për investime të huaja në Kosovë.

Të pranishëm në këtë Forum sipas njoftimit të qeverisë ishin përfaqësues të Parlamentit Britanik, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të SHBA-ve në Kosovë, drejtues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, drejtues të asociacioneve dhe biznesmenë.

Më poshtë e gjeni të plotë njoftimin:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve, Mbretëri e Bashkuar-SHBA-Kosovë, e cila u zhvillua në Londër.

Të pranishëm në Forum ishin përfaqësues të Parlamentit Britanik, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe të SHBA-ve në Kosovë, drejtues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, drejtues të asociacioneve dhe biznesmenë.

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, foli fillimisht për proceset shtetndërtuese në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, të SHBA-ve dhe vendeve tjera perëndimore. “Ky proces ka qenë jo i lehtë, por me ndihmën tuaj shumë të vlefshme, kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme demokratike dhe bazë të mirë të ekonomisë së tregut”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se me Programin Qeverisës prioritet themelor i është dhënë rritjes ekonomike dhe punësimit, hapjes së perspektivës për punësim të grave dhe të rinjve, duke folur edhe për nënshkrimin e MSA-së e cila e bën Kosovën pjesë të tregut prej 500 milionë konsumatorëve dhe përmban mbrojtje kalimtare për produktet e Kosovës. “Tani po punojmë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve për këtë treg, në suaza të Programit të Reformave Evropiane. Në fund të vitit të kaluar jemi radhitur prej vendeve të vetme të Ballkanit në programin kompakt të Agjencisë Shtetërore të SHBA-së, Millenium Challenge Coorporation. Kemi nënshkruar një memorandum me Ambasadën Britanike për rekrutimin e drejtuesve në disa pozita të larta në institucionet tona, në kompani publike dhe institucionet e pavarura”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, veçoi faktin se Kosova ka një popullatë të re, ku mbi 50% janë më të rinj se 26 vjeç, shumë dinamike dhe e përshtatshme për treg të punës. “Në vitin 2015 kemi arritur rritje ekonomike prej 4%, këtë vit parashohim rritje ekonomike prej 4.4% dhe një rritje më të madhe të punësimit”, bëri të ditur kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa, ka prezantuar disa aspekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën, energjinë, tregun financiar, bashkëpunimin në regjion dhe me institucionet financiare ndërkombëtare. “Po punojmë të zgjidhim problemin e energjisë elektrike, si resurs të rëndësishëm për zhvillim. Jemi në përfundim të marrëveshjes për ndërtimin e një termocentrali të ri, me investitor privat nga SHBA, por edhe në vlerësimin e rekonstruktimit të termocentraleve ekzistuese. Sa u përket investimeve të jashtme jemi të interesuar sidomos për investime në energjetikë dhe në energjinë e ripërtritshme; në miniera dhe minerale, përpunimin dhe finalizimin e tyre; në procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, në IT, në turizëm, sidomos turizmin dimëror. Baza legjislative është e harmonizuar dhe në përputhje me standardet e BE-së. Me prioritet kemi ashpërsuar luftën kundër korrupsionit, për të pamundësuar që ai të paraqes kosto kolaterale për bizneset. Kemi aprovuar Ligjin për investime strategjike, që lehtëson negociatat e Qeverisë me investitorët potencial dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për investime. Po ndërtojmë një infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore moderne. Kemi përfunduar autostradën me Shqipërinë, po punojmë në Autostradën me Maqedoninë dhe do ta vazhdojmë Autostradën për Serbi. Kosova ka një sistem stabil financiar, kurse risku i moskthimit të kredive është nën nivelin e regjionit. Jemi vend me nivelin më të ulët të borxhit publik, me vetëm rreth 14% të GDP-së. Po ashtu, kemi marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për programin e përbashkët, falë kësaj kemi arritur stabilitet makroekonomik dhe fiskal. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me qeveritë e vendeve të zhvilluara, me BERZH-in, FMN-në, Bankën Botërore dhe agjencionet e saj, si dhe Bankën Evropiane Investive. Kemi nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve për bashkëpunim financiar”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Isa Mustafa, theksoi se përmes politikave fiskale është përmirësuar ambienti i të bërit biznes, sidomos sa i përket fushës së prodhimit ku janë liruar nga obligimet fiskale importimi i lëndës së parë dhe makinerisë prodhuese.

Kryeministri, po ashtu, bëri të ditur se me qëllim të lehtësimit të qasjes në financa për shumë biznese, është themeluar Fondi për Garancitë Kreditore, duke falënderuar edhe mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it e cila ka ndihmuar që të penetrohet në tregjet regjionale dhe në vende të ndryshme të BE-së. “Ne jemi falënderues për ndihmat që i kemi marrë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera, me të cilat kemi kapërcyer fazën emergjente dhe atë të konsolidimit. Tani dëshirojmë që të marrim përgjegjësinë për zhvillim, të hapemi për investitorë të jashtëm dhe për tregje. Ne ju ftojmë që ju ta vizitoni Kosovën dhe nga afër të shihni mundësitë e investimit. Jemi të përkushtuar që të thjeshtësojmë të gjitha procedurat, të lehtësojmë taksat, kurse tregu, nëse merret si tërësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konsideroj se do të jetë mjaft atraktiv”, tha kryeministri Mustafa./Zëri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit