5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

T’i shpëtojmë femrat shqiptare nga konkurrenca e pandershme me prostitutat

Më të lexuarat

Nga Klementin Mile*

Propozimi për ta legalizuar prostitucionin në Shqipëri është argumentuar deri tani në terma ekonomikë. Është thënë se ekonomia shqiptare do të stimulohej fuqishëm nga kjo gjë, se do të zhvillohej sektori i turizmit seksual, i cili do të tërhiqte të huajt, dhe se mjafton të hedhim sytë nga Gjermania, Holanda apo Greqia për të marrë shembull dhe për t’u siguruar se gjithçka do të shkojë mirë.

Problemi me këtë argument është reduktimi i vlerave në vlerë vetëm ekonomike. Sado e vërtetë të jetë që shqiptarët priren sot drejt materiales, nuk ka megjithatë të dhëna që dëshmojnë se asgjë tjetër nuk ka më vlerë për ta. Dhe në fakt, sa më shumë theksohen përfitimet ekonomike nga legalizimi i prostitucionit, aq më shumë dyshohet për kostot sociale dhe morale të tij. Në mënyrë paradoksale, edhe vetë vlera ekonomike e artikuluar nuk është më vlerë në sytë e njerëzve. Kjo sepse vlerat kanë një specifikë: ato janë referenca për komunikimin, por nuk mund të komunikohen. Vlerat udhëzojnë vendimet dhe veprimet njerëzore, por ato vetë janë jashtë çdo debati dhe diskutimi. Mund të debatosh me vlerat, por nuk mund të debatosh për vlerat. Nëse bëhet e debatueshme dhe e diskutueshme, vlera e vlerës vihet në dyshim dhe e humbet fuqinë bindëse, pasi kështu transformohet në një gjë krejt të rëndomtë, për vlerën e së cilës, ashtu si në çdo rast tjetër, do të vendosë debati ose diskutimi.

Dhe në fakt argumenti ekonomik për legalizimin e prostitucionit po shpie drejt një debati për vlerat, drejt një zgjedhjeje: paraja apo morali? Një debat i këtij lloji patjetër vlen për të konturuar kampe kundërshtare, për të dalluar ideologjikisht progresistët nga konservatorët, por me koston e zhvlerësimit në komunikimin publik si të vlerës së parasë ashtu dhe vlerës së moralit. Prandaj nevojitet një argument tjetër, jo ekonomik për legalizimin e prostitucionit. Një argument që nuk i vë përballë paranë me moralin, por që ua ruan vlerën të dyjave në një unitet të padiskutueshëm.

Ideja bazë e këtij argumenti jo ekonomik është që legalizimi i prostitucionit nuk e përkeqëson situatën morale; përkundrazi, është një mjet që i vjen në ndihmë moralitetit. Le të nisemi nga një vëzhgim sociologjik dhe disa premisa faktike. E dimë që prostitucioni, edhe pse i paligjshëm, ekziston në Shqipëri. Madje burime të ndryshme thonë që është mjaft i përhapur. Një konservator nuk ka pse t’u besojë këtyre burimeve, por ama mund të bëjë një shëtitje nga zona e ish-Bllokut në Tiranë. Aty do të shohë se shumica e femrave nuk kanë patur aspak kujdes për t’i mbuluar hiret e tyre; përkundrazi, duket se kanë patur shumë kujdes për t’i zbuluar sa më tepër pjesët provokuese të trupit. Nuk kanë faj të huajt të cilëve u bie rruga andej dhe pyesin shoqëruesin shqiptar: “Në vendin tuaj është i ligjshëm prostitucioni?”

Por si ndodh ky fenomen? Pse të huajt i marrin për prostituta femrat shqiptare që nuk e kryejnë atë profesion? Çfarë e ka sjellë gjithë këtë konfuzion? Një shoqëri ka gjithmonë nevojë për modele që t’i ndjekë, për modele që krijojnë modën e asaj shoqërie. Në Shqipëri modën e vendosin prostitutat, sigurisht, ato të klasit të lartë – ato që punojnë natën si eskortë vip, ndërsa ditën si këngëtare, aktore, prezantuese etj. Duke qenë në masmedia (dhe pse të mos jenë, seksi shet) ato i kanë të gjitha mjetet për t’iu imponuar femrave të tjera, për të vendosur standardin e veshjes dhe të sjelljes. Gazetat dhe revistat i ndjekin pas ngado dhe raportojnë për sukseset dhe aventurat e tyre. Nga çdo burim mediatik kumbon mesazhi “po të mos vishesh dhe sillesh si unë, do jesh një dështake e mjerë gjatë gjithë jetës tënde; nuk do arrish kurrë të tërheqësh vëmendjen e meshkujve!”

Ky mesazh nuk mund të injorohet; femrat kanë të drejtë të dëshirojnë vëmendjen e meshkujve. Por fatkeqësisht kanë vetëm një model suksesi për ta arritur këtë: atë që thotë zhvishuni sa më tepër. Ky model ka sjellë doza pornografie të mëdha nëpër ambientet publike dhe e ka zvogëluar shumë elementin e erosit. Dhe siç na e bën të qartë filozofi grek Platoni, pa eros nuk mund të ketë dashuri, por vetëm shkëmbime favoresh seksuale. Për aq kohë sa prostitutat vip nuk do të cilësohen si të tilla, si prostituta, por do të vazhdojnë të nderohen në televizione, gazeta e revista, ky model do të vazhdojë të kultivohet. Ato do të vazhdojnë të jenë Fashion TV-ja e femrave shqiptare.

Atëherë, çfarë do të sillte legalizimi i prostitucionit? Së pari, do na shpëtonte nga një Shqipëri që ndjek thuajse e gjitha modelin e një shtëpie publike, duke e izoluar fenomenin e prostitucionit në zona të veçanta. Me fjalë të tjera, nëse sot shoqërinë e kontrollon modeli i prostitucionit të paligjshëm, nesër shoqëria do mund ta kontrollonte prostitucionin e ligjshëm. Së dyti, izolimi i fenomenit të prostitucionit do të sillte jo vetëm identifikimin e prostitutave, por edhe vendosjen e një kufiri mes prostitutave dhe femrave të tjera, me qëllim shmangien e stigmës sociale. Kur prostitutat të mos quhen më këngëtare apo prezantuese të suksesshme, por vetëm prostituta profesioni i të cilave ligjërohet dhe kontrollohet nga shteti, vetvetiu do të krijohet një kujdes te femrat e tjera për të mos u ngjarë në asnjë aspekt të veshjes dhe të sjelljes. Së treti, pas vendosjes së këtij kufiri, femrat do mund të zhvillonin modele të tjera të suksesshme për të tërhequr vëmendjen e meshkujve. Do të shihnim të kultivohet tërësisht potenciali shpirtëror dhe erotik i femrave – potencial aktualisht i ndrydhur – larg konkurrencës së pandershme me pornografinë materialiste të prostitutave.

*Pedagog në UET

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit