-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Patriotizmi është përkatësi dhe sakrificë

Më të lexuarat

Të jetuarit në një vend të sigurt dhe të qëndrueshëm së bashku me familjen, farefisin dhe me shokët e fëmijërisë është pa dyshim begatia më e madhe, e cila meriton falënderim dhe mirënjohje të denjë ndaj Allahut. Kësaj begatie ia dinë vlerën vetëm ata që janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre, dhe jetojnë në tendat e refugjatëve të nënçmuar, dhe që janë në pritje që një dorë e huaj të vendosë diçka në pjatat e tyre të zbrazëta.

Kur një musliman e do atdheun e tij lidhet me të dhe nxiton t’i bëjë mirë popullit të tij, në të vërtetë ai hap një rrugë, e cila ia fisnikëron shpirtin dhe ia largon egoizmin e neveritshëm. Dashuria, kujdesi dhe besnikëria është forma më e lartë e dhënies.
Çdo angazhim pozitiv ose kontribut qytetar do ta lartësonte kauzën e atdheut. Këto përbëjnë një rritje në xhirollogarinë e qytetarëve, por njerëzit nuk e hetojnë këtë pa u larguar nga vendi i tyre, sepse të tjerët sillen ndaj tyre në media, në punë dhe në aeroporte duke u bazuar në nënshtetësinë dhe pasaportat që ata mbajnë. Atëherë çdo qytetar shndërrohet në një përfaqësues të vogël të atdheut të tij, prandaj çfarëdo mundi që jep për të ndërtuar vendin e vet, ai e vjel dhe e shfrytëzon së pari vetë, pastaj bijtë e nipërit e tij dhe ata që vijnë më pas.

Kolosët, personat e famshëm dhe dijetarët nuk e harrojnë asnjëherë vendlindjen e tyre, pavarësisht suksesit dhe famës së madhe që kanë arritur, sepse dashuria për atdheun është pjesë e madhështisë, fisnikërisë dhe sinqeritetit të tyre. Thuhet se Eban ibën Asi kishte emigruar prej Mekës në Medinë, ndërsa i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam e pyeti: “O Eban, si e le Mekën?” Ai tha: “E kam lënë gjethen e limonit duke u rritur dhe atë të qitros duke lulëzuar.” Sytë e të Dërguarit u mbushën me lot kur kujtoi vendlindjen e tij.

Dashuria e muslimanit ndaj atdheut të tij është pjesë e dashurisë së tij ndaj fesë, sepse nuk mund ta lartësojmë kauzën e kësaj feje në një vend të pushtuar, të prapambetur dhe të trazuar. Nëse dëshirojmë që umeti islam të lulëzojë dhe që flamujt e tij të valojnë lart në qiell, ne duhet të punojmë shumë në ndërtimin e një shteti të fuqishëm, me ndikim dhe të pasur, që është plot mëshirë, dhembshuri, devocion, harmoni, i sigurt e me stabilitet.
Kini kujdes që të mos bashkëveproni me shtetin ashtu siç sillet tregtari me tregtarin: -Sa do paguash? Malli im vlen më shumë… etj. Kjo logjikë e shteron dashurinë e vërtetë për atdheun. Shtojini kësaj edhe këtë fakt, se çdo gjë që i dhurojmë vendit tonë është larje e borxhit që kemi ndaj tij.
Gjithashtu mos thoni kurrë: “Çfarë bëri shteti për mua, që unë të bëj për të?” Por thoni: “Çfarë kontributi mund të jap unë për shtetin tim?” Një shtet i mirë është ai në të cilin jetojnë njerëz të mirë, ndërsa vend i prishur është ai në të cilin banojnë njerëz të këqij. Ju mund të pyesni se kush është shtetas i mirë. Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi përmes pikave në vijim:

  • 1- Qytetar i ndershëm është ai person që i fal atdheut të tij dashuri, përkujdesje dhe mëshirë. Kjo e shtyn atë t’i shërbejë atij, të interesohet dhe ta mbrojë atë me përkushtim.
  • 2- Qytetari i ndershëm është si tulla cilësore me të cilën muratori i shkathët mburret, duke e bërë atë pjesë të një kështjelle të madhe.
  • 3- Mundësia e qytetarit që të jetë pjesë e kështjellës së madhe arrihet përmes dy gjërave thelbësore: sjelljes në përputhje me etikën islame dhe aftësive personale. Ne synojmë të ndërtojmë një shtet të moralshëm, produktiv dhe sovran.
  • 4- Shtetasi i mirë e rregullon lirinë e tij në përputhje me vullnetin e të tjerëve, duke i respektuar traditat e mira të të tjerëve dhe duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve me ta.
  • 5- Shtetasi i mirë kontribuon për vendin e tij duke e përgatitur dhe përparuar veten, duke u bërë një njeri jo i thjeshtë në punën, profesionin dhe kualitetet e tij.
  • 6- Kur shteti vuan nga disa probleme, shtetasi i mirë është ai që merr pjesë aktive në zgjidhjen e tyre, sepse thjesht ai nuk bëhet barrë për vendin, mirëpo shihet si ndihmëtar për ta shpënë atë përpara. Kjo arrihet vetëm nëse qytetari është fetar i mirë dhe produktiv.
  • 7- Shtetasi i mirë zotëron kohë, pasuri dhe mund. Ai punon që këto t’i vërë në funksion duke ndihmuar ata që janë në nevojë, si: jetimët, të varfrit, invalidët, të vejat etj.
  • 8- Shtetasi i mirë sillet me vendin e vet, ashtu si sillet një njeri shumë i kulturuar dhe i edukuar me tavolinën e tij të punës, duke e lënë gjithnjë në gjendjen më të pastër dhe më të rregullt.

Gjëja më e shëmtuar për vendin janë ata që flasin vetëm për patriotizëm, këndojnë në emër të tij, por realisht punojnë për shkatërrimin dhe përdhosjen e emrit të atij vendi. Lusim Allahun që të mos bëhemi kurrë si ata!

DR. ABDULKERIM BEKKAR
Nga arabishtja: Agron TERZIQI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit