-1.6 C
Pristina
Tuesday, December 31, 2024

Dy javë pas vërshimeve, Hasanbegu nis të rimëkëmbet (VIDEO)

Më të lexuarat

Dy javë pas vërshimeve, Hasanbegu po fillon të rimëkëmbet. Gjendja dalëngadalë po normalizohet, nuk ka më pengesa të mëdha në rrugë, shumica e shtëpive janë pastruar dhe në shumicën e fshatit tanimë është sanuar edhe energjia elektrike, kanë mbetur edhe disa shtëpi të cilat duhet të pastrohen, si dhe disa të tjera që janë shumë të dëmtuara të cilat duhet të rinovohen, raporton SHENJA.

Në këtë stadium i cili ndodhet në mes të fshatit, ku thuajse deri dje ka pasur një deponi mbeturinash, sot shihet se është pastruar pothuajse i tëri. Megjithatë, banorët thonë se pavarësisht punës së madhe që tanimë është bërë, akoma nuk është bërë dezinfektimi i vendit, gjë që për ta paraqet problem shumë të madh. Rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie, akoma është aktual si dhe kundërmimi i erës së keqe është prezent akoma në këtë fshat.
Edhe përkundër faktit që shumica e shtëpive janë vizituar nga komisioni për vlerësimin e dëmeve, ata janë pesimist nëse do të mund t’u kompensohen të gjitha dëmet që u janë shkaktuar.

“Sa i përket punimeve, jemi në përfundim e sipër, nëpër shtëpi jemi duke pastruar, jemi në përfundim e sipër. Ishin se ne jemi në shtëpitë e para, ke ne ishin dhe shkruajtën, se nuk ka mundësi t’i shënojnë të gjitha dëmet. Nuk kam shpresë se do të paguajnë 100 për qind, edhe shumë më dobët. Premtimet janë të mëdha, por nuk e di Tetova a ka marrë diçka”, tha një banor.

“Rryma është rregulluar, ujë ka normal po nuk e di a është i pijshëm. Rrugët janë pastruar, s’ka kanë pas mbeturina, të gjitha këto janë pastruar, kanë mbetur edhe asfaltet. Po pastrohet po punohet, kanali po pastrohet. Njerëzit kanë filluar t’í pastrojnë edhe shtëpitë.”, tha një banor tjetër.

“Gjendja në shtëpi çdo ditë e më shumë po përkeqësohet, para një jave ishit ju muri ka mbet më e mbyllur, tash vjen dit për ditë duke u hapur. Ata ma vlerësuan se duhet qind për qind të prishet kjo shtëpi. E vlerësuan i bënë shënimet, çka ka pas mobilje krejt. Më thanë në rregull është, thanë I dorëzojmë në Qeveri. Edhe mandej na tregojnë se sa ka dëm”, deklaroi një banor tjetër.

Banorët faleminderojnë njerëzit human, organizata humanitare, si dhe shtetin turk, pasi siç thonë ata, ju kanë dalë në ndihmë këtyre banorëve kur më së shumti kishin nevojë.

“Faleminderoj popullatën, edhe shoqatat humanitare, se kur nuk kishte vlerë paraja. Ato hapen shtandet dhe na kanë, mos ti harrojmë turqit do të na rrokte edhe kolera, se turqit na i kanë pastru edhe kanalet.”tha një banor.

Ndërkaq, ata janë të zhgënjyer nga partia në pushtet BDI.

“Ali Ahmet s’ka, BDI s’ka, votën ja kemi dhënë, a s’ka nimu kurxho, as nuk ka reagu me thënë se çka ka ky popull. Nuk ka ardhur as partia as kërkush ” u shpreh i revoltuar një banor.

Banorët, bëjnë apel që të ndihmohen edhe për pjesën tjetër të dëmeve, ndërkaq sa më shpejtë të bëhet dezinfektimi, pasi shëndeti I tyre është në pikëpyetje.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit