4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përfundon koha e hetimeve ndaj Limajt

Më të lexuarat

Prokurori i EULEX-it, Joachim Pickert, që nga sot (e hënë)nuk ka të drejtë ligjore që të kërkojë asnjë provë shtesë lidhur me dyshimet për korrupsion ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj.Më 23 prill mbushen dy vjet kur misioni EULEX kishte lëshuar aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj ministrit të atëhershëm Fatmir Limaj.

Konform ligjeve të aplikueshme në Kosovë, prokurori ka afat dyvjeçar për grumbullim të informatave dhe hetimeve pas lëshimit të aktvendimit, me të cilin kanë nisur hetimet, shkruan “Zëri”.

Përfundimi i këtij afati nënkupton që prokurori nuk ka të drejtë të zhvillojë më hetime, por vetëm të marrë vendimin për ngritje të aktakuzës apo në të kundërtën mbylljen e tërësishme të rastit.

Misioni EULEX nuk komenton në këtë fazë kur prokuroria është në vlug të punës për të parë se si do të veprojë derisa mbrojtja e ish-ministrit Limaj beson se prokuroria nuk ka elemente e prova bindëse për të ngritur aktakuzën dhe si i tillë, mbrojtja beson se rasti do të mbyllet në tërësi.

“Të hënën përfundon afati për të ndërmarrë veprime hetimore dhe tashmë prokurorit i nevojitet kohë për të analizuar provat aktuale, të analizojë provat fajësuese dhe shfajësuese dhe të marrë një vendim të drejtë”, thotë Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt.

Duke qenë dëshmitar gjatë katër herëve kur Limaj është marrë në pyetje gjatë dy vjet hetime, mbrojtësi Rrecaj konsideron se nuk ka prova me të cilën prokurori do të dëshmonte fajësinë e Limajt.

Ai ka thënë se prokurori nuk është i lidhur për ndonjë afati ligjor, konform së cilit do të merrte vendim për pushim të hetimeve apo eventualisht për ngritje të aktakuzës.

Hera e fundit kur Limaj është marrë në pyetje nën dyshimin për korrupsion, ka qenë dita e premte. Limaj është pyetur për më shumë se pesë orë. Jo më pak kanë zgjatur edhe tri seancat e kaluara, ku Limaj është marrë në pyetje nën dyshimin se ka keqpërdorur miliona në kohën sa kishte qenë ministër i Transportit dhe Postë-Telekomit të Kosovës.

Nën këto dyshime, vendbanimi i Fatmir Limajt dhe Ministria e Transportit ishin bastisur në fund të muajit prill 2010. Limaj asokohe nuk ishte arrestuar, por më pas është mbajtur në arrest shtëpiak për disa muaj teksa po gjykohej edhe për veprën penale të krimeve të luftës. Për këtë të fundit, pritet që të ketë një seancë të re e cila pritet të mbahet më 2 maj. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit